BDl thotë se do të ofrojë 12 milionë euro mbështetje financiare për nxënësit dhe studentët

Konferencë për shtyp e përfaqësueses së BDI-së, Rina Purini, e cila ka zbardhur detajet e mbështetjes qeveritare për nxënësit dhe studentët si pjesë e paketës qeveritare.

Krijimi i sa më shumë mundësive të mira për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut është përcaktim strategjik i Bashkimit Demokratik për Integrim. Mbështetja për këtë kategori të qytetarëve është pjesë obliguese (integrale) e të gjitha politikave dhe fushëveprimit tonë si subjekt politik. Kjo mbështetje sidomos është shprehur tani në këtë periudhë krize të pandemisë, kur përmes një sërë masash jemi duke u përpjekur t’u ndihmojmë atyre që të përshtaten me realitetin e ri, sidomos të mos shkaktohen pasoja në edukimin e tyre dhe të mos ndjejnë vështirësi, së paku të natyrës ekonomike.

Në këtë drejtim, Bashkimi Demokratik për Integrim si pjesë e garniturës aktuale qeverisëse ka marrë pjesë në inicimin, krijimin dhe miratimin e pakos së masave për të rinjtë – me kosto 400 milionë denarë, me të cilën pako do të mbështetet dhe mirëmbahet standardi studentor dhe i nxënësve, si dhe do të përforcohet fuqia blerëse e të rinjve, kur të hyrat e tyre personale ose mbase të hyrat e familjeve të tyre janë zvogëluar. Një nga tri masat e miratuara është ndarja e kartelave pagesore në vlerë prej 3.000 denarëve për të gjithë të rinjtë e moshës prej 16 deri 29 vjeç – e të cilët kanë statusin e nxënësve të rregullt në shkollat e mesme ose janë studentë. Kjo masë do të përfshijë rreth 100.000 përfitues, të cilët këto mjete financiare do të mund t’i shfrytëzojnë vetëm për blerjen e produkteve vendore.

Për këtë masë tashmë është miratuar Dekreti – në të cilin janë definuar hapat konkretë të implementimit, me qëllim që këto mjete të arrijnë deri shfrytëzuesit e fundit, në këtë rast te nxënësit dhe studentët.

Të dhënat për nxënësit do t’i sigurojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes Sistemit ESARU, ndërsa të dhënat për studentët, që do të kenë të drejtë të marrin këtë kartelë pagesore, do t’i sigurojnë vetë universitetet.

Pra, thënë ndryshe, nxënësit dhe studentet nuk do të kenë nevojë të aplikojnë askund për shfrytëzimin e kësaj mase. Listat e përfituesve të këtyre kartelave pagesore do të përpilohen dhe dorëzohen në Sekretariatin e Përgjithshëm, dhe Sekretariati do t’i publikojë ato në portalin enkas për këtë qëllim, duke u kujdesur për mbrojtjen e të dhënave personale. Gjithsecili që do të gjejë veten në listë në të njëjtën kohë do të marrë edhe informacion se në cilën bankë do të duhet ta tërheq kartelën e vet pagesore.

Dua të rikujtoj se në kuadër të pakos së masave për të rinjtë, është paraparë edhe ndarja e vauçerit në shumë të njëhershme maksimale prej 6.000 denarë për studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme që u përkasin familjeve me të hyra të ulëta, kurse mjetet do të shfrytëzohen vetëm për pjesën e participimit për studime në universitete dhe për vendosje (akomodim) në konviktet e nxënësve, konviktet studentore, si dhe në kapacitete (banesore) tjera të regjistruara private të vendosjes.

Po ashtu, është paraparë edhe ndarja e vauçerëve në shumë maksimale deri 30.000 denarë që u dedikohet të rinjve deri në moshën 29 vjeçare, për bashkëfinancimin e trajnimeve dhe kurseve për IT dhe shkathtësi digjitale, ku vlerësojmë se trajnimet dhe kurset e këtilla rrisin mundësinë e performancës së shpejtë dhe të suksesshme në tregun e punës. Për këto dy masat (e fundit) do t’ju informojmë në ditët në vijim.