BDl Gostivar: “Mjetet e komunës u përdorën për blerje votash“

Kryetari i degës së Bashkimit Demokratik për Integrim, Bashkim Hasani në konferencë për shtyp falënderoi aktivistët, kryetarët e këshillave vendorë dhe shefat e shtabeve duke thënë se me angazhimin e tyre, shqiptarët në Gostivar i besuan programit të BDI-së.

“Falënderues për shumicën e bashkëqytetarëve tonë shqiptarë të cilët na besuan. Na besuan edhe një pjesë e komunitetit turk, maqedonas dhe rom. Fatkeqësish nuk arritëm që në Gostivar edhe për 4 vite të heqim kryetarin aktual të komunës bashkë me VMRO-në”, u shpreh Hasani.

Ai shtoi se mjetet që është dashur të investohen gjatë këtyre katër viteve në Gostivar sot u përdorën për blerje vote.

“Sot këto mjete u përdorën për të blerë votën dhe për të keqpërdorë vullnetin e qytetarëve”, u shpreh Hasani.
Në fund, Hasani shtoi se gjatë katër viteve të ardhshme Gostivari do të jetë i pazhvilluar ashtu si në katër vitet e kaluara.