Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes një komunikate me shkrim ka akuzuar sot dy partitë më të mëdha maqedonase, LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në, se janë bërë bashkë për të mos lejuar shqiptarët për të arritur postet më të larta në shtetit.
“LSDM dhe VMRO mund të kenë shumë dallime, por kur bëhet fjalë për të mos pranuar komunitetin shqiptar në majat e pushtetit, ato janë njësoj. Por nëse ne shqiptarët bashkohemi për një Kryeministër shqiptar, askush prej tyre nuk mund të na ndalojë” shkruajnë nga BDI.
Në këtë reagim integristët përmendin edhe deklarata të dy krerëve të partive maqedonse për idenë e BDI-së për kryeministër shqiptar. Shkruajnë se kreu i VMRO-së Mickovski ka deklaruar: “Ultimatumi i BDI për një Kryeministër shqiptar do të na largojë nga koalicioni në vend që të na afrojë”, e kjo deklaratë sipas BDI është e njëjti si ajo e kreut të LSDM-së Zaev i cili para disa ditësh kundërshtoi idenë për Kryeministër shqiptar duke thënë: “Nëse BDI ka një kusht të tillë për një koalicion për qeverinë, atëherë BDI nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme”, rikujtojnë nga BDI.
“Por ky nuk është shembulli i vetëm, kur LSDM dhe VMRO tregojnë mendësinë e tyre të njëjtë të pushtetit të rezervuar ekskluzivisht për partitë Maqedonase. Gruevski po synonte zyrtarisht 61 deputetë në zgjedhjet e vitit 2016 për të hequr ndikimin e shqiptarëve në vendimet politike. Zaev pohoi saktësisht të njëjtën gjë në Mars 2020. Por ashtu si Gruevski dështoi në atë kohë, Zaev dhe Mickovski gjithashtu do të dështojnë edhe këtë herë në eleminimin e ndikimin vendimtar të shqiptarëve në politikën e Maqedonisë së Veriut” shkruhet në komunikatën e BDI-së.
Nga kjo parti po ashtu thonë se në këto zgjedhje, synojnë Kryeministrin e parë shqiptar dhe se ideja do të realizohet nëse shqiptarët bashkohen pas kësaj kauze.