BDI: Një kryeministër shqiptar do të jetë jo vetëm kryeministër i shqiptarëve por i të gjithë qytetarëve

Mbështetja për platformën e Kryeministrit të parë shqiptar po zgjerohet edhe te komunitetet tjera

Konferencë për shtyp e kandidatëve të BDI-së për deputetë: Meri Nikollova-Buxhaku, Dr. Seat Zejnel, Ismail Jahoski si dhe Rafet Muminoviç.

Fjalimi i Bartësit së listës së BDI-së në njësinë e katërt zgjedhore

Sead Zejnel:

Të nderuar kolegë, të nderuara media, qytetarë të nderuar. Unë jam Sead Zejnel, anëtar i bashkësisë etnike turke në vend. Me profesion jam mjek – internist specialist në Klinikën e Pulmologjisë, që profesionalisht ma mundëson çdo ditë të takoj një numër të madh të qytetarëve nga të gjitha bashkësitë etnike, pjesëtarë të të gjitha religjioneve – njerëz që kanë të njëjtat derte dhe probleme që i sjellin me vete në zyrën time. Ne mjekët, kemi një avantazh shoqëror: jemi vërtet të vetëdijshëm se sa të barabartë janë njerëzit nga natyra, ose më saktë, se sa të ndjeshëm dhe të brishtë janë ata – të barabartë para sfidave të sëmundjeve dhe shëndetit.

Por në shoqëri, veçanërisht në politikë – nuk është gjithnjë ashtu. Nëse vërtet duam një demokraci funksionale multietnike, atëherë duhet të punojmë vazhdimisht për të promovuar të drejtat e bashkësive etnike jo-shumicë. Platforma për kryeministrin e parë -shqiptar – nuk është përfitim vetëm për shqiptarët – por një sinjal i qartë për të gjitha komunitetet etnike, se, në këtë vend ka hapësirë për të gjithë, inkurajim për të gjithë anëtarët e rinj dhe për komunitetin etnik turk, por edhe të gjitha komuniteteve jo-shumicë, se të gjithë kanë mundësi të barabartë për të garuar për çdo pozicion në shoqëri, edhe në shëndetësi, edhe në biznes, por edhe në politikë. Pikërisht për këtë, unë Sead Zejnel, e mbështes plotësisht këtë ide, dhe dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që besojnë në një shoqëri multietnike, të qëndrojnë së bashku me ne.
Ju faleminderit

Fjalimi i kandidates për deputete Meri Nikollova Buxhaku:

Të nderuar kolegë, të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë, Unë jam Meri Nikolova Buxhaku, dhe ndoshta shumica prej jush më njohin si aktiviste, si folëse e zëshme për ata që janë trajtuar padrejtësisht,
atyre që u është e nevojshme mbështetje dhe ndihmë. Por, unë jam gjithashtu aktive edhe politikisht, duke u munduar të kontribuoj në ndërtimin e një shoqërie me të cilën do të zvogëlohen ndryshimet midis qytetarëve, një shoqërie në të cilën do të korrigjohen padrejtësitë, një shoqëri në të cilën të gjithë do të kenë mundësi të drejtë për të garuar
për sukses.

Opsioni im politik është Bashkimi Demokratik për Integrim, sepse kjo është partia që më së shumti kontribuon në avancimin shoqëror pikërisht aty ku qëndron edhe interesi im – të drejtat e qytetarëve. BDI është parti e cila, krahas asaj që e tërheq kryesisht bazën e saj të mbështetësve midis shqiptarëve në vend, megjithatë krijon një platformë të fuqishme në të cilën ka vend për të gjithë ne, angazhimi politik i të cilëve është promovimi i të drejtave individuale të qytetarëve. Pikërisht në këtë drejtim shoh edhe idenë e kryeministrit të parë – shqiptar, si një platformë që do të shkatërrojë stereotipet politike në vend se kujt çfarë roli i takon në shoqëri.

Unë fuqishëm e mbështes këtë ide, dhe mendoj se Kryeministri i parë – Shqiptar do të paraqet motivim dhe inkurajim mbi të gjithë qytetarët për ta planifikuar të ardhmen e tyre këtu në Maqedoninë e Veriut, por më e rëndësishmja – do të nënkuptojë edhe përforcim të lojalitetit dhe ndjenjës së tyre autentike të përkatësisë ndaj këtij vendi – që do të dakordoheni se është interes i të gjithë qytetarëve.Padyshim që kjo do të thotë avancim i marrëdhënieve të të gjitha
bashkësive etnike, do të nënkuptojë një besim të shtuar midis kombeve, do të thotë një kontribut i fuqishëm ndaj përforcimit të shoqërisë multietnike, që është përfitimi jonë më i madh civilizues.
Ju faleminderit.

Fjalim i kandidatit për deputet Ismail Jahoski

Të nderuar kolegë, të nderuar miq, media, të nderuar qytetarë, Unë jam Ismail Jahoski, kryetari i Komunës së Pllasnicës, komunë e cila është shembull i vërtetë i një shoqërie multietnike në vend. Ne të gjithë e konsiderojmë veten se i përkasim bashkësisë etnike turke, edhe pse të gjithë flasim rrjedhshëm maqedonisht. Ne jemi qytetarë besnik të këtij vendi, dhe e konsiderojmë atë si vend amë, dhe prandaj në këtë vend e shohim të ardhmen tonë, të ardhmen e fëmijëve tanë.

Ne jemi të vetëdijshëm që jemi anëtarë të një komuniteti më të vogël etnik në vend, por gjithmonë e kemi parë realizimin e të drejtave tona kolektive si progres të përgjithshëm të të drejtave të bashkësive etnike jo-shumicë – kryesisht përmes realizimit të të drejtave të shqiptarëve si komuniteti më i madh jo-shumicë në vend. Unë e konsideroj platformën për Kryeministër të parë – Shqiptar, si jashtëzakonisht pozitive, sepse me këtë do të lirohen më tej, do të inkurajohen të gjithë qytetarët në vend, se të gjithë kanë shans dhe mundësi të barabartë për të kërkuar lumturinë e tyre në këtë vend.

Të gjithë ne, që kemi arritur ndonjë sukses – shoku Zejnel i cili është mjek, Muminoviçi që është biznesmen i
suksesshëm, ja dhe unë që krijova biznes dhe të cilin tani fëmijët e mi e udhëheqin, dhe tani që jam Kryetar i Komunës – ne të gjithë jemi një shembull që në këtë vend, nëse punon, mund të kesh sukses. Kështu duhet të jetë edhe në politikë, duhet të inkurajohen, motivohen të rinjtë – që ky vend është i barabartë për të gjithë.

Prandaj unë, Ismail Jahoski, qëndroj fuqishëm pas kësaj oferte politike, dhe u bëj thirrje të gjithë bashkëqytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fesë, të qëndrojnë pas platformës për Kryeministër të parë – Shqiptar, sepse është një ide fisnike që do të sjellë përparim për të gjithë në vend.
Ju faleminderit.

Fjalim i kandidatit për deputet Rafet Muminoviç

Të dashur kolegë, miq, të nderuar qytetarë, Unë jam Rafet Muminoviq, dhe unë i përkas bashkësisë më të vogël etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut – asaj boshnjake. Ashtu si kolegët e mi më parë, dua të theksoj se ne, komunitetet më të vogla etnike, kemi pritje dhe i realizojmë të drejtat tona të pakicave, përmes parimeve dhe politikave të siguruara nga komuniteti më i madh jo-shumicë në vend – shqiptarët.

Të jemi të sinqertë, as ne boshnjakët, e besoj që as turqit, romët, vllehët dhe asnjëra nga bashkësitë e tjera etnike, nuk do mundeshim t’i fitojmë as edhe të drejtat e sotme, po të mos ishte forca kolektive politike që e realizojmë së bashku me shqiptarët në vend. Askush prej nesh nuk ka iluzionin se, ne vetë, do të ishim në gjendje t’i arrijmë përfitimet nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe, gjithsesi, përfaqësimin e drejtë në politikë, në administratë dhe në përgjithësi në shoqëri.

Është e qartë që, ne të drejtat tona i realizojmë vetëm kur jemi të bashkuar, kur veprojmë së bashku, dhe këtë na e siguron Bashkimi Demokratik për Inegrim, që po shndërrohet në një platformë për të ushtruar të drejtat dhe mundësitë e të gjitha bashkësive etnike në vend. Dhe kjo, të gjithë do të pajtohemi se asnjëherë nuk ishte në dëm të komunitetit shumicë, bashkëqytetarëve tanë – maqedonasve. Përkundrazi, krijimi i një shteti të përbashkët, ndërtimi i besimit midis bashkësive etnike, krijimi i një shteti të qytetarëve besnik, është një përfitim për të gjithë ne.

Ndaj, ta pranojmë të gjithë së bashku, dhe të qëndrojmë pas kësaj ideje të re, kësaj platforme që unifikon, dhe të realizojmë idenë e kryeministrit të parë – shqiptar. Kjo, është një ide e mirë, është një ide e guximshme, kjo para së gjithash është një ide ambicioze dhe me të vërtetë ia vlen që njeriu të përkushtohet në zbatimin e saj në praktikë. Unë qëndroj pas kësaj ideje dhe u bëj thirrje boshnjakëve të mi, por edhe të gjitha komuniteteve të tjera, të qëndrojnë së bashku pas kësaj platforme.