BDI: Ngritëm Ministrinë për Sistem Politik që avancoi dhe zëvendësoi Sekretariatin për Implementimin e MO-së

Sekretari shtetëror i Ministrisë për sistem politik, Lirim Shabani elaboroi sot të arriturat e këtij dikasteri në aspektin e përfaqësimit dhe ngritjes institucionale të shqiptarëve, por edhe rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit.

“Marrëveshja e Ohrit është shtylla mbajtëse e Maqedonisë së veriut e cila rregullon marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve si dhe komuniteteve tjera. Marrëveshje paqësore e zbatuar me sukses dhe e cila ndërtoi Maqedoninë e re. Ky mandat i joni solli ndryshimin cilësor institucional dhe ngritjen e ministrisë së re e cila avancoi dhe zëvendësoi Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Arritëm të sigurojmë 2/3 e Votave në Kuvend dhe të realizojmë këtë premtim të madh zgjedhor nga programi i Bashkimit Demokratik për Integrim”, theksoi Lirim Shabani.

Ai nënvizoi se pas ndryshimeve ligjore të gjitha kompetencat e Sekretariatit për zbatimin e marrëveshjes se Ohrit transferohen në Ministrinë e re si dhe shtohen edhe një sërë kompetencash të reja ligjore.

Sipas tij, nëse Sekretariati mes tjerash kishte për bazë përfaqësimin e drejt dhe adekuat të komuniteteve, tash Ministria për sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve ka të bëjë me:

– sigurimin dhe realizimin e mjeteve financiare për realizimin e detyrimeve të cilat dalin nga Marrëveshja Kornizë.

– garantimin e mbrojtjes së identitetit etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar të të gjitha bashkësive në Maqedoninë e Veriut,

– ndjekjen dhe zbatimin e të drejtës së përdorimit të gjuhëve dhe alfabeteve të bashkësive, si dhe një sërë kompetencash tjera.

“Konform këtyre kompetencave shtesë, ne tash më kemi sjellur edhe Planin strategjik i cili paraqet dokument baze mbi te cilin punon kjo Ministri. Sa i përket përfaqësimit të drejt dhe adekuat gjatë këtij mandati kemi punuar me përkushtim për të avancuar edhe më tutje këtë çështje dhe për të përfunduar sistematizimin e të punësuarve”, theksoi sekretari Shabani.

Ai shtoi se përveç rritjes së numrit deri në përfaqësim adekuat nëpër institucione, është arritur që me veprime konkrete të sigurojmë edhe avancimin e tyre, gjë që e dëshmojnë edhe ndryshimet e fundit ligjore sipas të cilave parashihet avancim në shkallë të caktuar i të gjithë administratorëve (sidomos ata me shkollim të mesëm).

“Një segment tjetër shumë i rëndësishëm që buron nga MO e njëherë ishte edhe premtim i Bashkimit Demokratik për Integrim është ligji për përdorimin e gjuhës shqipe. Sjellja e ligjit për përdorimin zyrtarë te gjuhës shqipe paraqet rrumbullakësim juridik te MO dhe me këtë konsiderojmë se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut bëhen të barabartë si ne aspekt gjuhësor ashtu edhe në aspekt arsimor e kulturor. Ky premtim nga BDI tash më është realizuar. Gjithashtu themeluam edhe Institucionet që janë të angazhuara për zbatimin e këtij ligji si Inspektorati dhe Agjencia për gjuhën shqipe.”, theksoi Lirim Shabani.

Sipas tij, si pjesë përbërëse të Marrëveshjes së Ohrit si dhe të Deklaratës së përbashkët është arritur themelimi i Ansamblit Kombëtar dhe të ndahet çmimi shtetëror “22 nëntori”, me ç’rast gati se 100% realizuan edhe Deklaratën si dhe përmbyllëm pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit.

“Përfundimisht, iniciativa për avancimin e Sekretariatit në ministri bashkë me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, zgjidhjen e çështjes së emrit, përmbylljen e kontestit me Bulgarinë, nënshkrimin e protokollit për anëtarësim në NATO si dhe marrjen e shpejtë të datës për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian, përmbyll premtimet tona kryesore zgjedhore të premtuara në vitin 2016, por Ne kemi akoma shumë punë për të bërë. Dhe këto punë do ti bëjmë bashkë.”, theksoi sekretari shtetëror Lirim Shabani.