Bashkimi Demokratik për Integrim bën të ditur nga shtatori se do të dalë në terren, pasi drafti i Pol Uilliamsit, i cili u angazhua nga BDI për të gjetur një zgjidhje për respektimin e legjitimitetit, u shqyrtua dje në Kryesinë Qendrore në Reçicë të Vogël. Këtë e tha për TV21, nënkryetari i partisë, Arbër Ademi, i cili tha se për 13 gusht planifikojnë një manifestim qendror dhe nga shtatori do të kenë aktivitete në terren, pas saktësuar se për çfarë aktivitetesh bëhet fjalë dhe nëse janë këto protestat që janë paralajmëruar kohë më parë.
“Drafti u shqyrtua, u analizuan dhe u komentuan propozim-idetë e draftit. Po i bëjmë konsultat finale dhe komentet lidhur me propozimi. Kemi shqyrtuar draftin e parë të platformës mbi legjitimitetin te përgatitur nga Paul Williams si dhe ide të tjera nga ekspertë vendorë dhe anëtarët e Kryesisë Qendrore. Debati mbi këtë çështje kaq te rëndësishme vijon për arsye të seriozitetit të rregullimit të çështjes së legjitimitetit. Kemi vendos që më 13 gusht të mbajmë manifestimin qendror. Gjithashtu u vendos që nga shtatori, BDI me të gjitha kapacitetet e veta të dalë në terren, që nga Struga deri në Sopot”, tha Arbër Ademi nga BDI.
Nga koalicioni VLEN thonë se partia e Ahmetit bën ç’mos për të mbrojtur anëtarët e saj të përfshirë në krim.
“BDI vepron si organizatë kriminele që për të mbrojtur ish zyrtarët e saj të korruptuar mendon në mënyrë destruktive. Shqiptarët nuk do të lejojnë që kjo kryesi e kriminalizuar e BDI-së t’i nënvlerësojë. Ata e dinë se Ahmeti, Grubi, Osmani, Merko, Bekteshi dhe kompania e tyre nuk kujdesen për Marrëveshjen e Ohrit, por kujdesen vetëm për kapitalin e tyre të përfituar ilegalisht”, deklaroi Fari Iseni, zëdhënës i VLEN.