Bashkimi Demokratik për Integrim “përshëndet” miratimin e pakos së gjashtë të masave ekonomike, të cilat sot kaluan në Qeveri.
“Duke pasur parasysh situatën dhe vazhdimësinë e ndikimit të krizës së
shkaktuar nga COVID-19, ne vazhdimisht kemi ndjekur nga afër parametrat ekonomike, por gjithashtu edhe përmes konsultimeve me të gjithë aktorët në shoqëri bashkë vlerësuam se vendit i nevojitet miratimi i edhe një pakoje ekonomike, përkatësisht pakos së gjashtë me qëllim përballimin dhe tejkalimin sa më të lehtë të krizës. Bashkimi Demokratik për Integrim si parti politike përkrah të gjitha nismat ligjore dhe projektet që janë në interes të qytetarëve përfshirë këtu edhe miratimin e pakos së gjashtë të masave ekonomike të cilat kanë për synim përkrahjen e kompanive që u mbyllën tërësisht me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19 gjatë muajit Prill të këtij viti si dhe për të përmirësuar likuiditetin e kompanive që do investojnë gjatë vitit 2021″, thuhet mes të tjerash në kumtesën e BDI-së.
Vlerësojnë, se me miratimin e pakos së pestë ekonomike dhe të gjashtë, BDI-ja, “po përkrah ekonominë e vendit por edhe qytetarët tanë të prekur drejt për drejtë nga kriza e shkaktuar COVID-19”.