BDI: Mësim parashkollor obligativ, çerdhe në çdo vendbanim

ARSIMI PARASHKOLLOR DHE KOPSHTET PËR ÇDO LAGJE

Emri im është Shermine Mamut. Unë jam e re në politikë e po ashtu jam e
re edhe në BDI. Kështu që, më lejoni të prezantoj veten. Unë jam nënë e
2 fëmijëve, 12 dhe 2 vjeç. Unë punoj si drejtoresh në institucion privat
për mbrojtje sociale të pleqve. Jam pjesë e rrjetit botëror të shkollës
së nënave ku merrem me arsimin, trajnimin e nënave dhe i ndihmoj ato në
sfidat e tyre. Duke punuar nga afër me to, unë i njoh shumë mirë
problemet dhe sfidat e grave që punojnë dhe gjithashtu, problemet e
sistemit tonë arsimor. Kjo është një nga arsyet kryesore që vendosa të
angazhohem në politikë dhe në BDI. Sepse unë, dua të sjell ekspertizën
time dhe pasionin tim në këtë sferë dhe të ndihmoj në përmirësimin e
gjendjes në shoqërinë tonë, veçanërisht për fëmijët dhe familjet.

Sot, unë qëndroj këtu si politikane dhe jam shumë krenare t’ju njoftoj
me planin e rëndësishëm nga programi i BDI-së për mandatin e ardhshëm,
me çka do të përmirësohet jo vetëm arsimi i fëmijëve tanë, por edhe do
tu ofrohet mundësi prindërve që të ndjekin karrierën e tyre, veçanërisht
gratë r reja, të cilave do t’u ofrohet mjedis në të cilin do të mund ta
harmonizojnë më mirë punën dhe familjen.

Ne, Bashkimi Demokratik për Integrim, do të prezantojmë arsimin
parashkollor të detyrueshëm që nga mosha katër vjeçe dhe do të
investojmë në burime të konsiderueshme në ndërtimin e kopshteve dhe
qendrave të zhvillimit të hershëm të fëmijëve, në çdo zonë ku nuk
ekzistojnë deri më tani. Si për shembull këtu në Saraj, ku planifikojmë
ta hapim këtë kopsht së shpejti.

Paralelisht, ne do të investojmë në krijimin e programeve cilësore të
mësimit të hershëm. Sepse, kopshtet e fëmijëve, nuk duhet të jenë vetëm
një vend për përkujdesje të fëmijëve, por edhe për edukimin dhe
zhvillimin e tyre. Këto masa ndjeshëm do tu ndihmojnë prindërve dhe
atyre që përkujdesen për fëmijët, që përmes kujdesit për fëmijët e tyre,
në të njëjtën kohë të investohet edhe në potencialin e tyre.

Zhvillimi i hershëm i fëmijërisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për
progresin e tyre, sepse ndikon në zhvillimin më të mirë të trurit, duke
pas parasysh se 80 deri në 85 % e trurit të fëmijëve, zhvillohet në
fëmijërinë e hershme deri në pesë vjet, dhe në këtë mënyrë rritet
gatishmëria e tyre për shkollë dhe jetë të mëvonshme.

Studimet tregojnë se nxënësit arrijnë rezultate më të mira në PISA, nëse
ata ndjekin arsim parashkollor. Raporti Global Parashkollor i UNICEF-it
tregon se fëmijët që kanë ndjekur të paktën një vit parashkollor, kanë
gjasa më të mëdha ta zhvillojnë aftësi të të menduarit kritik, që më tej
u nevojitet për të pasur sukses në shkollë. Studimet po ashtu tregojnë
se gjasat janë më të vogla që këta fëmijë, më tej si nxënës ta
përsërisin vitin apo ta braktisin shkollën, dhe rezultatet studimeve,
thonë se kur të rriten, ata kanë aftësi më të mëdha që të kontribuojnë
në shoqëritë dhe ekonomitë prosperuese.

Programet e arsimit të hershëm të fëmijëve të cilësisë së lartë, kanë
një ndikim domethënës dhe pozitiv në zhvillimin e mëtutjeshëm të
fëmijëve, njëherit duke ua bërë të mundur atyre nga familjet e varfra që
të kenë fillim të barabartë arsimor.

Sidoqoftë, vendi ynë është duke shënuar një përmirësim në regjistrimin
parashkollor, nga 22% në 2012, në 35% në 2017, megjithatë, vendi ynë
është shumë larg nivelit të synuar të BE-së ku regjistrimi i fëmijëve në
edukimin parashkollor është 95%. Ne nuk kemi mjaft kopshte, veçanërisht
në zonat e varfra rurale, ku ato janë më së shumti të nevojshme.

Njëkohësisht, shumë familje nuk kanë mjaftueshëm kohë që tu përkushtohen
fëmijëve, për shkak të jetës së tyre dinamike dhe kërkimit të një
mirëqenieje më të volitshme.

Shumë fëmijë humbasin mundësinë për të zhvilluar aftësitë dhe të ngrisin
potencialin e tyre. Kjo është arsyeja se pse mbështetja e familjeve në
edukimin e fëmijëve në zhvillim të hershëm të fëmijërisë, është një
prioritet i lartë i BDI-së.

Duke pasur parasysh rëndësinë e zhvillimit të fëmijërisë së hershme, si
parti politike, do të përpiqemi që të ofrojmë arsimim të detyrueshëm
parashkollor për fëmijët e moshës katër vjeçare, natyrisht pa ndonjë
kosto shtesë për familjet. Me këtë mundësi, ne vendosim themelin mbi të
cilin do të ngritet karriera e suksesshme arsimore e çdo fëmije në
vendin tonë, njëkohësisht duke u siguruar që arsimi të mos varet më nga
mjedisi gjeografik dhe social-ekonomik ku fëmijët jetojnë, dhe të
sigurohemi që asnjë fëmijë nuk mbetet pa arsim përkatës të mirë.

Kjo është mënyra se si ne i përgatisim fëmijët tanë që tu përshtaten
kërkesave në të ardhmen dhe të sigurojnë një jetë më të mirë. Me rritjen
e numrit të kopshteve dhe qendrave parashkollore, veçanërisht në zonat
rurale, ne gjithashtu inkurajojmë prindërit që të vazhdojnë me karrierën
e tyre, dhe të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre.