BDI kërkon dorëheqjen e Toshkovskit dhe zëvendësit të tij Iseni, paralajmëron edhe interpelancë për ta

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot kërkoi dorëheqjen e menjëhershme dhe të parevokueshme të ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe zëvendësit të tij, Astrit Iseni, duke i cilësuar si përgjegjësit kryesorë për incidentet gjatë Ditës së Flamurit Shqiptar.

BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme dhe të parevokueshme të ministrit të Punëve të Brendshme dhe zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, duke i cilësuar si përgjegjësit kryesorë për incidentin. Nëse dorëheqja nuk ndodh, ditëve në vijim në Kuvend do të iniciojmë interpelancë ndaj ministrit dhe zëvendësministrit të Punëve të Brendshme. Me shumë gjasë, interpelanca do të paraqitet në fillim të javës së ardhshme. Sapo shërbimet tona dhe grupi ynë parlamentar të jenë gati, ajo do të dorëzohet menjëherë, deklaroi në konferencën për shtyp të sotme nënkryetari i BDI-së, Bajram Rexhepi.

Sipas Bajram Rexhepit, ngjarjet e fundit nuk janë vetëm një tregues i qartë i dështimit të institucioneve, por edhe një pasqyrë e drejtimit që ka marrë shteti me këtë Qeveri.

“Kur digjet flamuri kombëtar shqiptar dhe provokimet ndaj shqiptarëve kalojnë pa asnjë ndëshkim, ndërsa dhuna policore ndaj një manifestimi tradicional përfundon me ndëshkimin e vetëm shqiptarëve, bëhet e qartë se një qasje e tillë është e qëllimshme për të fyer dhe nënçmuar një komb të tërë.

Të indinjuar dhe të shqetësuar nga dhuna dhe fyerjet ndaj flamujve nga grupet e dyshimta që nuk i dëshirojnë të mirën këtij shteti, si dhe nga sjellja e papërgjegjshme, joprofesionale dhe nxitëse e policisë shtetërore, BDI u bën thirrje të gjithë qytetarëve të jenë të qetë dhe të shmangin çdo provokim gjatë periudhës së ardhshme nga struktura të caktuara që punojnë kundër paqes dhe stabilitetit të vendit tonë dhe të gjithë rajonit,” deklaroi Rexhepi.

Ai kërkoi nga institucionet që të veprojnë pa selektim dhe të sjellin para drejtësisë të gjithë përgjegjësit për këto, siç i quajti ai, ngjarje të turpshme dhe monstruoze.