BDI-ja mohon përplasjet brenda partisë: S’ka përçarje por garë idesh

BDI-ja mohon përçarjet brenda partisë pas reagimeve të një dite më parë në Kuvendit të koordinatorit të grupit parlamentar Izet Mexhiti. Fakti që Mexhiti drejtoi pyetje me kritika ndaj zv/kryeministrit Artan Grubi dhe pushtetit në përgjithësi, për BDI-në është garë idesh brenda partisë.
“Në BDI nuk ka përçarje, por garë idesh dhe konceptesh për realizim sa më të përpiktë të synimeve. Demokracia e brendshme në BDI është shembullore dhe tradicionale ku respektohet dhe merret në konsideratë opinioni dhe kontributi i çdo anëtari ndërsa në fund, pas shterjes së debatit, respektohet vendimi kolektiv dhe bashkë rreshtohemi pas kryetarit Ali Ahmeti”, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Ndaj qasjes së Mexhitit ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët. Partia e Ziadin Selës thotë se mosrealizimi i premtimeve të BDI-së për 18 vite pushtet nuk është risi.
“Risia është që më në fund nënkryetari i saj pranoi të gjitha ato gjëra të cilat Aleanca për Shqiptarët i tha në 100-ditëshin e qeverisjes! Urojmë që të mos jetë lojë dhe z. Mexhiti ta bëjë zgjidhjen e tij, a do të vazhdojë akoma të jetë në anën e rrenës dhe të mashtrimit që udhëhiqet nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, apo fjalët e thëna do t’i shndërroje në veprime konkrete dhe në ditët në vazhdim do të dëgjojmë edhe largimin e tij përfundimtar nga BDI?”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Mexhiti një ditë më parë në Kuvend pyeti Grubin për lënien pas dore të zonës ekonomike në Vizbeg, për rrugën Shkup-Bllacë dhe për mosrealizimin e premtimit për përfaqësim të drejtë etnik në sektorin privat. Kohë më parë kishte reaguar edhe për ligjin për sistemimin e administratorëve. I pyetur për qëndrimet kontradiktore brenda partisë, Mexhiti kishte deklaruar se në BDI ka qëndrime të ndryshme por vendimet përfundimtare merren njëzëri. Ai shprehu pakënaqësitë e para gjatë përzgjedhjes së ministrave shqiptarë nga radhët e partisë së tij në kabinetin aktual qeveritar.