BDI fitoi Strugën dhe Kërçovën, Merko dhe Dehari do të vazhdojnë me punë

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale vulosi fitoren e Fatmir Deharit si kryetarë të komunës së Kërçovës dhe Ramiz Merkos si kryetarë të Komunës së Strugës. Dehari grumbulloi 12,935 vota, që pati një diferencë prej 2107 vota nga kandidati i VMRO-DPMNE-së.
“Nesër filloj me detyrën e re, kryetar i komunës së Kërçovës. Zoti ju bekoftë juve dhe të gjithë familjet tuaja dhe në emrin tuaj dhe të gjithë shokëve të mi këtu dhe të mërgatës do më lejoni të falënderoj kryetarin tonë”, tha Dehari.

Jovanovski i uroi Deharit fitoren dhe tha se duhet që praktikën e deritanishme ta kthejë në punë.
“Mendoj se qytetarët treguan kush është fitues nga ana tjetër më vjen keq që nuk kam aeroplanë , kështu që ndodhi kjo që ndodhi dhe I uroj fitoren kryetarit aktual dhe uroj që praktikën e deritanishme ta kthejë në punë, pra atë që e premton ta realizojë”.

Kujtojmë se në Kërçovë erdhën rreth 2500 mërgimtarë për të votuar.
Në Strugë fitoi Ramiz Merko i BDI-së, me 13,764 vota, kundër kandidatit të ASH-AAA Idri Istrefi, i cili mori 11,711 vota.
“Të krijojmë kushte më të mira për zhvillim ekonomik, zhvillim të turizmit, të prodhimtarisë me ato obligime që i kemi si komunë, rregullimin e infrastrukturës të ketë ujë të pijshëm sa më tepër, të ketë kanalizim sekondar, ndreqim rrugorë etj”, tha Merko.

Istrefi pas humbjes së zgjedhjeve në facebook shkroi: “Nuk ja dolëm! Kundër një pushteti të tërë luftuam me çdo energji që patëm, por mesa duket nuk ishte e mjaftueshme për ta fituar Strugën. Jeta vazhdon”