Bdi edhe sonte para Gjykatës Kushtetuese “Në Roje të Gjuhës”

BDI-ja edhe sot ndodhet para Gjykatës Kushtetuese, duke deklaruar se çadrat do të qëndrojnë aty deri të mërkurën, kur është caktuar seanca e Gjykatës Kushtetuese.
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, deklaroi se Qeveria që nga dita e parë po përpiqet ta destabilizojë vendin dhe po provokon qytetarët në çështjet më të shenjta, si identiteti etnik, gjuhët dhe vullneti i tyre.

Fronti Evropian dyshon se po përgatitet shfuqizimi i këtij ligji, si dhe i përfitimeve nga Marrëveshja e Ohrit, e cila për ta është një garanci për barazi dhe drejtësi.
Ditët e fundit, edhe kryeministri Mickoski dhe koalicioni VLEN deklaruan se të mërkurën nuk do të shfuqizohet ligji për gjuhët. Nga ana tjetër, qeveria disa herë ka reaguar duke thënë se anëtarët e BDI-së kanë frikë për shkak të krimeve që kanë kryer gjatë kohës që ishin në pushtet dhe se ata nuk kujdesen për popullin shqiptar, por vetëm për interesat e tyre.

VMRO-DPMNE sot e akuzoi BDI-në për krijimin e një cirku politik.
Ligji për gjuhët ishte kontestuar para Gjykatës Kushtetuese me 12 iniciativa që para pesë vitesh. Ndër iniciatorët janë VMRO-DPMNE, Levica, organizata, avokatë dhe profesorë.