BDI: Buxheti i vitit 2023 parasheh 250 milionë euro për Korridorin 8

Bashkimi Demokratik për Integrim informon se investimet kapitale në Buxhetin për vitin 2023 janë parashikuar të jenë 800 milionë euro, një buxhet zhvillimor, ose thënë në përqindje 52,3 për qind më shumë investime kapitale në krahasim me buxhetin e këtij viti.

Investimet kapitale synojnë projekte infrastrukturore brenda vendit por edhe lidhjet me vendet e rajonit që do të sigurojnë rritje dhe zhvillim më të shpejtë ekonomik, kushte më të mira për zhvillimin e kompanive vendore dhe investimeve të huaja, përfshirë këtu edhe zhvillim më të mirë të biznesit, investime në projekte kapitale në shëndetësi, arsim, infrastrukturë, bujqësi, mbrojtje të mjedisit, gazifikim dhe energjetikë.

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se në këtë kohë krize, investimet kapitale do të sigurojnë një të ardhme më të mirë dhe një standard jetese për të gjithë qytetarët. Me menaxhim dhe realizim të përgjegjshëm, investimet kapitale do të sigurojnë një kalim më të lehtë drejt rimëkëmbjes dhe zhvillimit të ekonomisë.

– Vazhdojnë me intensitet punimet për ndërtimin e Korridorit 8 hekurudhor, 250 milion euro për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10-D të autostradës, rehabilitim të rrugëve lokale si dhe ndërtim të banesave sociale në disa komuna.

– Gazifikimi vazhdon në shumë pjesë të vendit, javën e kaluar përfundoi plotësisht gazsjellësi nga hyrja e interkonjektorit nga Bullgaria.
– Investimet kapitale në bujqësi vazhdojnë të sigurojnë rritjen e prodhimit vendor dhe po ashtu mbështetje për fermerët dhe modernizim të sektorit të bujqësisë,

– Në fushën e shëndetësisë parashihen investime kapitale, siç janë ndërtimi dhe rikonstruimi i objekteve shëndetësore publike dhe blerja e pajisjeve mjekësore, kurse në fushën e arsimit, mbrojtjen e fëmijëve dhe sporti, parashihet rikonstruim i konvikteve studentore, pajisje moderne dhe rikonstruime të universiteteve,

– Buxheti i ri parasheh vazhdimin e zbatimit të ciklit të investimeve në sektorin e energjisë, i cili duhet të sigurojë rritje të potencialit energjetik vendor,
– Prioritet kryesor në buxhetin e vitit 2023 është edhe mbrojtja e mjedisit, duke përfshirë këtu ndërtimin e impianteve të trajtimit, rrjetet e ujërave të zeza dhe ngritjen e sistemit rajonal për menaxhimin e mbetjeve dhe mbylljen e deponive në rajonet lindore dhe verilindore.