BDI: Akuzat e VMRO-së ndaj Ahmetit janë të pabaza dhe tendencioze!

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas akuzave të fundit të VMRO-DPMNE-së ndaj kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, përcjell TV21. Nga kjo parti thonë se VMRO-DPMNE-ja përmes lajmeve të rreme po synon të rrënojnë të arriturat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“VMRO-DPMNE vazhdon fushatën e vet të propagandës së pabazë mediatike me lajme të rreme që kanë për qëllim të vetëm defaktorizimin institucional të shqiptarëve në vend. Të gjitha pretendimet e këtij subjekti opozitar tashmë me fakte janë demantuar dhe për këtë në mënyrë transparente është i njoftuar edhe opinioni. Në lidhje me akuzat e pabaza dhe tendencioze për kinse parregullsi në shfrytëzimin e energjisë elektrike në shtëpinë e kryetarit Ali Ahmeti, më datë 27 Shtator të vitit 2021, EVN u prononcua zyrtarisht se në inspektimin e realizuar nuk është konstatuar asnjë parregullsi e vetme. Sa i takon “numëratorit të parave”, opinioni tashmë e di se fotografia e kryetarit Ali Ahmeti është realizuar në zyrat e një kompanie në Republikën e Kosovës dhe kjo u konfirmua me reagime nga vetë udhëheqësit e asaj kompanie”, thuhet mes tjerash në reagimin e BDI-së.