BBC news, për krimet serbe në Kosovë: Të mos i harrojmë viktimat shqiptare të varrosura në Batajnicë

Një hark betoni mbi rrugën midis fushave në Batajnicë, afër Beogradit, e cila çon në bazën e policisë të rrethuar me shkurre. Disa qindra metra pranë bazës ka një tabelë ku shkruan “Ndalohet  vëzhgimi, fotografimi dhe hyrja”.

Aty është një kishë, një kombinat bujqësor i shkatërruar, shtëpi të vogla të fshatit, një kopsht fëmijësh – asgjë që do të tregonte se këtu janë fshehur viktimat e krimeve të kryera 400 kilometra larg – në Kosovë.

Siç shkruan BBC news edicioni në gjuhën serbe, njëzet vjet më parë, autofrigoriferë me qindra kufoma shqiptare të Kosovës kaluan nën këtë hark. Ishte një përpjekje e autoriteteve serbe për të fshehur vrasjet masive të kryera në Kosovë.

Gërmimet e para të varrit masiv në Batajnicë filluan më 2 qershor 2001, por fshehja dhe komploti i heshtjes vazhdojnë edhe më tej, thonë aktivistët.

“U gjetën dy biberonë”

“Këtu u gjetën eshtrat e anëtarëve të familjes Berisha Në mesin e tyre ishin Genci katërvjeçar dhe Graniti, i cili ishte vetëm dy vjeç, si dhe Liria, i cili ishte tetë muajsh shtatzënë”, tregon avokati dhe aktivisti Mirko Medenica në një tubim publik të organizuar nga Qendra për Histori Aplikative në prill të vitit 2019.

Jelena, njëra prej shumë pjesëmarrësve në këtë tubim, pyeti se kush ishin viktimat, çfarë po bënin, sa vjeç ishin. Procesverbali i bërë gjatë zhvarrosjeve jep vetëm një pjesë të përgjigjes.

“U gjetën gjithashtu edhe dy biberona, disa prerëse për thonjsh, çelës për hapjen e shisheve, sfera qelqi (lodra fëmijësh), stoli ari, orë, lapsa, rruaza, krehër”, tha Medenica.

Deri më tani, në Batajnicë janë zhvarrosur 744 trupa, në mesin e të cilëv kishte edhe fëmijë. Pas zhvarrimit, varrezat masive u mbuluan, u rrafshuan dhe mbi to tani kryhet trajnimi i forcave speciale të policisë.

Baza në Batajnicë është bazë e Njësisë Speciale Antiterroriste të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për ish-Jugosllavinë ka përcaktuar se rolin kryesor në fshehjen e krimeve ndaj shqiptarëve e kishte Vlastimir Gjorgjeviq, udhëheqës i Departamentit të Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të  Brendshme.

Është vërtetuar se transferimi i trupave është kryer me urdhër të Presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Slobodan Milosheviq, transmeton Telegrafi.

Sidoqoftë, për këtë varrezë masive sot flitet pak. Shumëkush nuk e di se çfarë kishte afër Beogradit, aq më pak se çfarë po ndodhte në Kosovë në vitet 1990.