Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit ish-kandidat për kryetar të komunës së Prizrenit, Hatim Baxhaku, ka reaguar pas shkarkimit të katër drejtorëve nga radhët e kësaj partie në Prizren.
Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, i ka drejtuar një letër me kritika kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuksës, shkruan Reporteri.net.
“Me këte logjik nuk funkcionon as oda dhe as kuvendi por as burrnia e as akademia e as qeveria zotni Mytaher.”, ka shkruar në statusin e tij deputeti i LDK-së.
Ai thotë se ka të drejtë morale të i drejtohet Haskukës me këtë shkrim, sepse në zgjedhjet lokale, gjatë fushatës, pati deklaruar se aleat i tij do të jetë VV.
Baxhaku thotë se në kohën e fushatës në balotazh, për ta fituar Haskuka Prizrenin, kërkonte takime çdo ditë e çdo natë, ndërsa tani nuk pati guximin as kurajon që para prishjes së koalicionit ta bëjë të njëjtën gjë.
“Arsyeja juaj se nuk mund të ketë bashkëqeverisje pas prishjes së koalicionit në qendër dhe mospajtimit dhe hidhërimit të aktivistëve është qesharake dhe absurde sepse ju nuk keni asnjë vërejtje në punën e nënkryetarit dhe drejtorëve.”, ka shkruar tutje Baxhaku.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, të premten ka shkarkuar 4 zyrtarët e lartë komunalë që kanë përfaqësuar LDK-në në ekzekutivin lokal.
Nënkryetari i Komunës, Eshref Memaj, drejtori i Urbanizmit, Fatmir Memaj, drejtori i Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashi dhe drejtori i Bujqësisë, Egzon Elshani janë liruar nga detyrat e deritanishme në qeverinë lokale.
Ky është postimi i tij i plotë:
Mendoj se kam të drejtë morale t’ju drejtohëm me këtë shkrim sepse në zgjedhjet lokale në të cilat u bëre kryetar, gjatë fushatës pata deklaruar se aleat i imi do të jetë VV,por edhe në ballotazh pastaj pata deklaruar hapur se jam për ndryshimin.
E pata deklaruar këtë edhe pse ishim nē kohën kur sa po ishte rrëzuar Qeveria Mustafa edhe me votat e VV-së dhe ishim pas nje periudhe të ushtrimit të një dhune të pa parë në Kuvendin e Kosovës por edhe jashtë tij nga VV, kundër qeverisë së LDK dhe kryetarit Mustafa.
E bëra këtë sepse e deshiroja ndryshimin për të mirën e qytetarëve të qytetit tim, Prizrenit.
Edhe atëherë nuk kishte ndonjë entuziazëm shumë të madh në strukturat lokale të LDK-së e aq më pak në ato qëndërore, por i lam anash interesat partiake dhe e bëm për hirë të qytetarëve. Edhe atëherë une personalisht isha kundër hyrjes në qeveri dhe koalicionit, por isha vetëm perkrahë fitores së ndryshimit.
Sot po e kuptoj se kisha pas të drejtë për të parën por jo edhe për këte të dytën.
Ju atë kohë për ta fituar Prizrenin kërkonit takime çdo ditë e çdo natë,ndërsa dje nuk e pate guximin e as kurajon që para prishjes së koalicionit ta bënit të njejtën gjë.
U mjaftuat vetëm me një letër, sepse kështu është me lehtë dhe nuk ke nevoj ta shiqosh ne sy partnerit dhe as të skuqësh.
Arsyeja juaj se nuk mund të ketë bashkëqeverisje pas prishjes së koalicionit në qendër dhe mospajtimit dhe hidhërimit të aktivistëve është qesharake dhe absurde sepse ju nuk keni asnjë vërejtje në punën e nënkryetarit dhe drejtorëve.
Ju bile theksoni që së bashku keni bërë shumë punë të suksesëshme dhe të mira.
Ju keni të drejtë ta prishni koalicionit në çdo kohë dhe për këtë tani më as që po më vije keq, por duhet të jeni të sinqert se kjo ndodhi për shkak të një urdhëri nga lartë sepse kështu funksionon partija jote: kur je me mu je i mire dhe kur nuk je me mu je i keq.
Me këte logjik nuk funkcionon as oda dhe as kuvendi por as burrnia e as akademia e as qeveria zotni Mytaher. Respekt për ty por e di se ti nuk mund të jesh vetëvetja, këte ta kam thënë disa herë edhe gjatë fushatë zgjedhore para tri vitësh, por jo vetëm ti por askush tjetër në subjektin tënd, nuk mund të jet vetëvetja, përveq liderit kuptohët.
Uroj te keni shëndet e mbarësi në familje dhe njekohësisht të bëni punë të mbara për Prizrenin!
Shpresoj ne bashkepunim ne te ardhmen por duhet akom të reformoheni si subjekt, edhe pse tanimë veq keni ndryshuar shume nga ajo VV e para tre, pesë, dhjetë e pesëmdhjetë vitesh.