Gazetari dhe publicisti Baton Haxhiu ka thënë se ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në diskursin publik është i pamëshirshëm dhe i fëlliqët. Këto deklarata Haxhiu i ka bërë në emisionin Pressing në T7, teksa ka shpjeguar edhe fillin e përplasjes së tij me Berishën, politikan me të cilin kishte pasur raporte të shkëlqyera më herët.
“Sali Berisha në pushtet e ka një diskurs të kontrolluar, jashtë pushtetit është i pamëshirshëm. Tjetër është njeri në tavolinë, kurse diskursin publik e ka dobësi njerëzore. Te ne në Kosovë thuhet i fëlliqt, në Shqipëri thuhet i marrë”, është shprehur Haxhiu.
Ish-kryeministri Berisha vazhdimisht ka sulmuar gazetarin Baton Haxhiu duke e quajtur edhe bashkëpunëtor të ngushtë të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit për planin e tyre për ndarjen e Kosovës. Haxhiu ka thënë se një njeri që ka pasur të gjitha pozitat shtetërore si Sali Berisha nuk duhet të flas në mënyrë pezhorative.
“Nuk thuhet në publik Baton Haxhiu është shef i Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, një njeri serioz që i ka pasur të gjitha pozitat shtetërore nuk flet ashtu dhe të jetë pezhorative nuk ka kuptim”, ka deklaruar Haxhiu. Në Pressing Haxhiu ka thënë se përplasja me Berishën ka filluar pas një ligjerate në UET, meqë kishte deklaruar se Berisha s’mund të flasë për varfërinë meqë nusja e djalit të tij publikon foto nga plazhet më të shtrenjta ku s’shkon dot as Beyonce.