Bastisja në shtëpinë e Jakup Krasniqit, reagon Ramiz Lladrovci

Kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci ka reaguar lidhur me bastisjen që njësitet e EULEX-it po e bëjnë në shtëpinë e Jakup Krasniqit. Përmes një postimi në ‘Facebook’ i pari i Drenasit ka thënë se mënyra e bastisjes dhe aplikimi i metodës së aksionit të EULEX-it është e pakuptueshme.

“Sot njësitet e EULEX-it, me orë të tëra kanë zhvilluar bastisje në shtëpinë e ish zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi në Prishtinë dhe Negroc. Për fat të keq, kjo qasje dhe mënyrë e bastisjes dhe aplikimit të metodës së aksionit të EULEX-it është e pakuptueshme dhe joproporcionale kundrejt personalitetit të z. Krasniqi dhe familjes së tij” ka thënë Lladrovci.

Tutje ai ka thënë se beson në pafajësinë e z. Krasniqit dhe të gjithë të akuzuarve të mundshëm. “Shqetësimet e tilla të panevojshme nuk mund të jenë vlera të Gjykatës Speciale, të shtetit që po ndërtojmë dhe as të shtetit që synojmë. Besoj fort në pafajësinë e z. Krasniqi dhe të gjithë të akuzuarve të mundshëm të tjerë sepse lu*fta jonë çlirimtare ishte e drejtë dhe në pajtim me normat ndërkombëtar” është shprehur Lladrovci.

Ndryshe Gjatë ditës së sotme pritet transferimi i Jakup Krasniqit për në Hagë. Kështu ka bërë të ditur avokati mbrojtës Valon Hasani i cili ka njoftuar se aktakuza është konfirmuar. “Krejt çfarë mund të konfirmojë është që ka një bastisje… Aktakuza e cila është konfirmuar tash duhet të transferohet zotëri Krasniqi në Hagë besoj gjatë ditës së sotme”, ka deklaruar Hasani.