Bashkimi Demokratik për Integrim dhe LSDM ashpërsojnë retorikën parazgjedhore

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk heq dorë nga retorika se LSDM-ja dhe BESA kanë bërë koalicion parazgjedhor joparimor për të mbijetuar në skenën politike. Pas porosive të Zaevit se nuk do të lejojë asnjë shantazh për formimin e mundshëm të qeverisë, Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se është e vërtetë që ata kanë shantazhuar, por gjithnjë në interes të qytetarëve.

Partitë maqedonase bëjnë thirrje tek qytetarët për 61 deputet që Bashkimi Demokratik për Integrim të mos i shantazhojë në qeverinë e ardhshme. Nëse shantazh është nevoja për zgjidhjen e emrit dhe hapjen e rrugës drejt NATO-s, nëse shantazh është nevoja për nënshkrimin e marrëveshjes me Bullgarinë, nëse shantazh është nevoja e sjelljes së Ligjit të gjuhëve që të relaksohen marrëdhëniet ndëretnike- po, Bashkimi Demokratik për Integrim shantazhoi, por asnjëherë për vete, për partinë, por çdoherë për interesat e qytetarëve”-tha Bujar Osmani – zëdhënës i Bashkimit Demokratik për Integrim. Nga LSDM-ja nuk i komentojnë këto merita që Osmani ia përshkruan Bashkimit Demokratik për Integrim. Për koalicioni me Lëvizjen BESA, shprehen se do të sjellë politika të mira.

Është krejt legjitime që Bashkimi Demokratik për Integrim të ketë qëndrim politik rreth koalicionit mes LSDM-së dhe BESËS, por ju siguroj që nuk është bërë në bazë jo-parimore, por se do të ndërtohet mbi politika që do të sjellin jetë më të mirë për qytetarët dhe kushte më të mira për punë dhe biznes në vendin tonë”-pohoi Kirill Kolemishevski, LSDM.Megjithatë, edhe krahas retorikës së ashpërsuar parazgjedhore, as Bashkimi Demokratik për Integrim as LSDM nuk e përjashtojnë mundësi që nëse fitojnë, sërish bashkë të formojnë koalicion qeveritar./Alsat-m