Bashkësia Fetare Islame dënon agresionin rus në shtetin e Ukrainës

Bashkësia Fetare Islame përmes një komunikate dënon agresionin rus në shtetin e Ukrainës.
Sipas njoftimit të BFI-së, kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu gjatë ditës së djeshme më 28.02.2022 bashkë me drejtorin për Marrëdhënie me Jashtë, Mustafa Dauti, kishte takim zyrtar në selinë e Bashkimit Evropian në Shkup, ku u pritën nga ambasadori David Geer.

“Në këtë takim, Reisul Ulemaja e falënderoi Ambasadorin për takimin dhe pritjen e ngrohtë, e në të njëjtën kohë në emër të Bashkësisë Fetare Islame shprehën shqetësimin e madh për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës ku ranë shumë viktima në njerëz dhe u shkaktuan shkatërrime të shumta, andaj bashkërisht dënuan thellë këtë agresion antinjerëzor që po rrezikon Paqen, jo vetëm në rajon por edhe në tërë globin. Poashtu, Kreu i BFI përshëndeti unitetin e BE dhe SHBA në përpjekjet e tyre maksimale për të ndaluar këtë agresion, që po rrezikon jetën njerëzore”, thuhet në njoftimin e BFI-së.

Nga BFI theksojnë palët u dakorduan që të vazhdojnë kontributin në evitimin e pandemisë së Kovid 19, si dhe realizimin sa më të lartë të vaksinimit të popullatës, që është e vetmja rrugë për imunizimin e shoqërisë dhe asgjësim e kësaj të keqeje që po e shqetëson botën.

“Reisul Ulemaja edhe një herë deklaroi se kultivimi i Paqes në vend dhe rajon është prioritet i institucionit fetaro islam BFI, andaj kërkoi nga besimtarët dhe nëpunësit fetar që të kenë kujdes në deklarata dhe qëndrime që dëmtojnë Paqen dhe në të njëjtën kohë të japim kontributin në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e BFI-së.