Bashkëfshatarët kritikojnë Reisin në largim, ai nuk u shfaq në namazin e xhumasë (VIDEO)

Thirrja për lutjet e së premtes i mblodhi në xhami banorët e Svillares së Epërme. Por, ezanit në xhaminë e fshatit të tij nuk ju përgjigj edhe Reisi në largim Sulejman Rexhepi. Bashkë vendasit e tij thonë se ai çdo herë xhumanë e ka falur aty, madje nuk kursyen kritikat për të bëmat e tij të fundit.

“Më thoshte babai im kaherë, o bir mos u bën me ngrënë hallku bukën me ty! Po si bëhet kjo? E shtron sofrën, e flasin njerëzia filani ashtu, fisteku kështu”.

“Nuk kam koment, nuk di ç’të them!”.

“Nuk dimë gjë të përgjigjemi, më mirë pyeteni atë!”.

Nga kabineti i ish-Reisit heshtin. Thonë se nuk do të kenë asnjë reagim për shkarkimin e tij. Ndërkaq, kritikat nuk i kurseu as imami i Porojit, i cili nuk iu bind urdhrave të tij. Maksut Abazi tha se Reisi i ri duhet të jetë pa afera korruptive, ndërsa BFI duhet të reformohet rrënjësisht përmes një procesi transparent.

Nuk është puna veç te kreu aty, por ndryshime duhet deri në portir. Duhet të bëhen ndryshime radikale që njëherë e përgjithmonë të zgjidhen problemet në BFI. Unë besoj që hoxhallarët dinë më së miri të gjejnë një ujdi, të shkohet në zgjedhje fer dhe korrekte -tha Maksut Abazi, imam i fshatit Poroj.

Edhe një kallëzim penal kundër ish Reisit u dorëzua nga avokati Aleksandar Tortevski. Sulejman Rexhepit mund t’i rëndoj edhe akuza për kërcënim të Qeverisë, pas deklaratës së tij që nëse nuk i ndajnë hise nga fondi i pandemisë vendin do ta shndërroj në Banglladesh, duke hapur edhe xhamitë pa rekomandime shëndetësore.