Basha: Ose rrimë bashkë e riorganizohemi, ose ia dorëzojmë PD-në Berishës

Ose rrimë bashkë dhe riorganizojmë partinë, ose ia dorëzojmë Sali Berishës”.

Kështu tha Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD që po zhvillohet të hënën, ditën kur u shpall rezultati i zgjedhjeve të pjesshme vendore ku PD doli e treta në garë në 5 nga 6 bashkitë.

“Synimi Berishës është ta marrë PD për t’u mbrojtur nga non-grata”, tha Basha.

Kjo deklaratë e Bashës vjen në kohën kur deputeti Ferdinand Xhaferraj ka kërkuar dorëheqjen e Bashës në këtë mbledhje.

“Jam më i vjetri dhe me eksperiencë, s’kam ambicie por përgjegjësi për PD. Berisha s’është zgjidhje dhe e ka mbyllur me PD, por ti na ke fyer kur thua s’kam humbur asnjë garë. Duhet të largohesh si kryetar”, u shpreh Xhaferaj.

Ndërkohë, Agron Gjekmarkaj ka vendosur të dorëhiqet nga çdo funksion në parti, duke mbetur vetëm deputet i thjeshtë.