Bajram Xhemaili nga fshati Mateç ankohet se tani e 17 ditë ai me familjarët po mbahet i izoluar për shkak të koronavirusit pa kurrfarë përkujdesje shëndetësore.“Vetëm unë kam rezultuar pozitiv me koronavirus në familje para 17 ditëve. Që atëherë na kanë izoluar tërë familjen. Askush nuk na viziton, ndonjë herë rrallë policia. Para katër ditëve e kam bë testin e fundit dhe ende nuk i kam rezultatet”, thotë Xhemaili për Gazetën Lajm.
“Jemi shtatë anëtarë të familjes. Unë me bashkëshorten, fëmijët dhe dy prindërit. Tani e 17 ditë askush nuk na e ka hapur derën të na pyesë si jemi, çfarë bëjmë, a kemi për të ngrënë, apo për të pirë. Nuk kemi kurrfarë udhëzimi se si të veprojmë në këtë situatë. Nuk e di se çka duhet të bëj. Lus autoritetet të na tregojnë sa më shpejtë”, thekson ai, duke u ankuar se kjo formë e izolimit veçmë ka filluar të reflektohet negativisht në shëndetin e përgjithshëm të gjithë anëtarëve të familjes.
Nga Ministria e Shëndetësisë me sqarim të shkurtë. Ata thonë se personi në fjalë duhet të presë rezultatin e testit dhe për çdo gjë të konsultohet me mjekun amë.