Banorët e Siniçanit ende në protestë, Xhemaili: Pres ftesë për takim të dytë në Qeveri

Banorët e Siniçanit vazhdojnë të protestojnë për ndërprerjen e punimeve për ujësjellësin në fshatin e tyre. Ata ende po qëndrojnë në bjeshkët e Sharrit. Thonë se këtu do të jenë deri sa fshati i tyre të bëhet me ujë të pijshëm, andaj bëjnë apel tek qeveria që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejtë.
“Kemi arritur një marrëveshje se do të ketë një mirëkuptim nga qeveria se dhe do të fillojmë me punët, deri sa nuk kemi nga qeveria ndonjë lajmë nga qeveria do të qëndrojmë këtu”, tha një banor.

Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu deri sa të arrihet kërkesa jonë që është elementare ujë për pije, duhet edhe qeveria të reflektojë pak dhe të merret një vendim në anën tanë pasi që kemi edhe një marrëveshje mes Siniçanit dhe Urviçit; dhe duhet që uji pijshëm të vijë në fshatin Siniçan”, tha një tjetër banor.
Kryetari i Bogovinës, Albon Xhemaili, i cili po qëndron bashkë me banorët, thotë se gjatë ditës së sotme ka biseduar me Ministrin e Bujqësisë, i cili i ka premtuar se brenda tre-katër ditëve do të ketë një takim në qeveri.

“Unë realisht prisja të marr një informacion për ditën e djeshme, pasi që këtu banorët rrinë ditë e
natë dhe janë pa ujë për pije; dhe sot pata një bisedë telefonike me Ministrin e Bujqësisë, pasi që ai ftoi takimin në qeveri dhe udhëhiqte me mbledhjen, dhe u konsultova me atë dhe mora një premtim se brenda tre-katër ditësh do të ketë një takim për shkak të agjendës së ngjeshur në kryeministri”, u shpreh kryetari i Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili.

Pesë mijë banorë të fshatit Siniçan janë pa ujë të pijshëm, ndërsa policia bllokoi nismën e tyre vullnetare për vendosjen e sistemit ujësjellës me arsyetimin se nuk kanë leje pune.
Uji me të cilin për momentin furnizohet Siniçani është me ndërprerje dhe i papijshëm, madje ka rrezik edhe nga bakteri “esheria koli”. Tashmë pesë ditë banorët janë duke qëndruar në mal, në forme proteste, me qëllim sa më shpejt të zgjidhet halli i tyre me ujësjellësin.