Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini së bashku me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Bllagoja Boçvarski, zëvendësministrin Bekim Rexhepi dhe kryetarin e komunës së Bogovinës Besnik Emshiu, sot shënuan përfundimin e projektit për ujësjellësin e vendbanimit Kamjan, projekt i financuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
– Si qytetar i komunës së Bogovinës, fshatit Kamjan, posaçërisht më vjen mirë që sot zyrtarisht po përfundojmë një projekt të rëndësishëm për banorët e këtij vendbanimi. Në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe Vetëqeverisjen lokale, realizojmë projekte infrastrukturore me rëndësi jetike për qytetarët. Një nga ato projekte është edhe ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit me të cilin sot sigurojmë ujë të pijshëm të pastër për rreth 5 mijë banorë të fshatit Kamjan, përditshmëri e të cilëve ishte mungesa e ujit të pijshëm me vite, thotë ministri Nuredini.
Projekti për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit në Kamjan kap vlerën e mbi 240 mijë eurove dhe përfshin rikonstruksionin e 13.5 kilometrave të rrjetit të ujësjellësit dhe furnizimin me ujë prej 20.00 l/s.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nga Programi për Investime në mjedisin jetësor për vitin 2022 ka siguruar mjete për projekte infrastrukturore në disa komuna, ndër të cilat janë përgatitja e dokumentacionit projektues-teknik për kanalizimin fekal në vendbanimin Pirok dhe përgatitja e dokumentacionit projektues-teknik për ndërtimin kanalizimit fekal për vendbanimin Pallçishtë e poshtme. Përmes një prokurimi publik shumëvjeçar nga Buxheti i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor financohet edhe ndërtimi i rrjetit të kanalizimit për vendbanimin Kamjan dhe rrjeti i kanalizimit për vendbanimin Bogovinë, projekte që aktualisht janë duke u realizuar dhe vlera e tyre totale është 266 milionë denarë.
Me 50 milionë euro shtesë, mjete të siguruara nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI), Ministria do të ndihmojë financiarisht komunat në realizimin e projekteve infrastrukturore për përmirësimin e infrastrukturës ujore.