Banorët e fshatit Banjicë e Poshtme dhe e Epërme bllokojnë punëtorët e kompanisë “Behtel & Enka” për ndërtimin e Korridorit 8

Banorët e fshatit Banjicë e Poshtme dhe e Epërme kanë bllokuar sot në mëngjes rrugën rajonale që kalon nëpër fshatrat e tyre dhe nuk kanë lejuar të kalojnë as punonjësit e kompanisë “Bechtel dhe Enka” të cilët punojnë në trasenë e Korridorit 8. Bllokada e rrugës është një shenjë revolte nga mënyra se si po zbatohet shpronësimi i tokave të tyre

Bllokimi, siç thanë ata, vjen nga qëndrimi injorant i autoriteteve dhe institucioneve të tjera në adresimin e kërkesave të tyre. Pjesëmarrësit e protestës theksuan se askush nuk i mbrojti dhe nuk u interesua për interesat e tyre gjatë procesit të shpronësimit. Banorët e Banjicës së Poshtme dhe të Epërme janë ankuar se për tokën që po konfiskohet marrin kompensim joadekuat prej dhjetë euro për metër katror.

Përfaqësuesi i pjesëmarrësve në bllokadë, Abdulaqim Asipi, tha se nuk kanë marrë përgjigje për kërkesat që i kanë dërguar autoriteteve dhe as nuk janë thirrur për bisedë. Ai sqaroi se një pjesë e tokës nuk blihet për nevojat e rrugës, por për ndërtimin e kampeve për punonjësit, të cilat shteti do t’i shesë më vonë për ndërtimin e pikave të karburantit dhe objekteve të tjera tregtare.

Ata njoftuan se nga sot dhe në tri ditët në vijim do t’i ndërpresin punimet e kompanisë Bechtel dhe Enka me bllokada gjithë ditore për vetura, si dhe planifikojnë të bllokojnë komunikacionin në rrugën kryesore Gostivar-Kërçovë.

Banorët e Banjës u bënë apel institucioneve kompetente që të ulen sa më parë dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.