Banka Popullore e Maqedonisë: “Denari është stabil”

Me rritjen të gjitha çmimeve qytetarët po përpiqen të kursejnë ndonjë para të imët. Për të ndarë anash paratë, në këto dy javët e fundit ata denarët i këmbejnë në euro. Paniku për ndonjë devalvim të monedhës vendore nga kriza globale e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, ka bërë që inspektorët të dalin nëpër këmbimore për të evituar keqpërdorimet e tregtarëve në shitjen e euros deri në 62 denarë.

“Qytetarët me mendime të ndara, disa thonë se duhet të kursehet në denarë, të tjerët nxitojnë për t’i kthyer paratë në euro. Ndërsa shumica e tyre thonë se është mirë të kursehet nëse ka se çfarë të ruhet.”
“Maqedonia është gjithherë në krizë, arsyeja duhet të kërkohet te funksionarët ata duhet të përgjigjen, populli e vuan krizën, para s’ka – tregtia nuk ecë, ata janë hajna e kanë vjedh popullin.”

“A kemi vallë çfarë të kursejmë?! Kemi nga pak për shpenzime ditore, vështirë në këtë kohë krize. Me standardin tonë e me pagat tona mezi arrijmë të mbijetojmë.”
“Në denarë, ku jeton ashtu duhet të përshtatesh, unë nëse shkoj në Suedi duhet denarët ti ndërroj në paratë e tyre për të blerë diçka. Në bankë është më sigurt se të hy dikush në banesë ti vjedh të gjitha.”

“Në euro është më mirë ti mbajmë, më shumë ka vlerë se denarët harxhohen menjëherë. Kurse eurot themi më mirë mos t’i prishim andaj më lehtë i mbajmë”.
Nga Banka Popullore thonë se kemi më shumë euro rezervë se sa në krizën globale të 2008-ës, që do të thotë se nuk ka vend për panik dhe denari është stabil, larg spekulimeve se mund të ketë inflacion.

“Kemi kapacitete ta mbajmë kursin e denarit – e kemi mbajtur të qëndrueshëm edhe gjatë krizave të mëparshme si pandemia dhe kriza globale financiare. Kemi edhe mënyra të tjera me të cilat do të veprojmë nëse është e nevojshme. Rezervat devizore janë në nivel të lartë prej 3,5 miliardë euro (dy herë më i lartë se në periudhën e krizës globale financiare – ku edhe atëherë kemi ruajtur stabilitetin e denarit). Ne kemi edhe 400 milionë euro shtesë në dispozicion përmes depove të Bankës Qendrore Evropiane”, njoftojnë nga Banka Popullore e RMV-së.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Popullore për lëvizjet monetare për janar 2022 gjithsej depozitat e sektorit jo shtetëror në banka arrijnë në 464,7 miliardë denarë. 262,2 miliardë denarë janë depozita në denarë, ndërsa rreth 202,5 miliardë denarë janë në valutë të huaj. Për muajin shkurt të dhënat fillestare tregojnë që depozitimi i valutave të huaja ka shënuar rritje të kursimeve, thonë nga Banka Popullore.