Zoran Zaev, Edi Rama e Aleksandar Vuçiç në Shkup hodhën firmat e tyre në dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik ndërsa nismës ia ndërruan edhe emrin nga “mini shengeni” në “Ballkani i hapur”.
Kryeministri shqiptar Rama tha se rajoni nuk mund të vazhdojë të mbetët peng i së shkuarës dhe shtoi se kjo nismë rajonale sjell një shembull të BE-së në rajon. Ai tha se kush thotë se kjo nismë është e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë jeton në një botë paralele, duke kritikuar tërthorazi mospjesëmarrjen e vendeve tjera, në veçanti Kosovës.
Po të nisemi kështu atëherë duhet të themi që edhe BE-ja është një Jugosllavi e madhe, nëse BE-ja është një jugosllavi e madhe po, kjo është Jugosllavia e vogël. Ne jemi këtu për të ardhmen. Çështjet e të shkuarës zgjidhen shumë më lehtë nëse sytë janë nga e ardhmja. Me sytë nga e shkuara nuk ka çështje të së shkuarës si zgjidhje drejt të së ardhmes”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Në të njëjtën vijë me Ramën edhe presidenti serb Vuçiç. Ai tha se bashkëpunimi është mundësia e vetme për zhvillimin e rajonit.
Ajo që në po bëjmë ka për qëllim të tregojmë se të kaluarën mund ta lëmë pas nesh , të shohim drejt së ardhmes, para se gjithash në ngritjes e standardit dhe cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Nga 1 janari i vitit 2023 ne më nuk do të kemi kufij në vendet tona. Gjithsesi kalimet kufitare do të ekzistojnë, por nuk do të ekzistojnë për qytetarët tonë. Thjesht, nga Beogradi do të niseni deri në Tiranë dhe askush s’do t’iu ndalë dhe e kundërta. Askush s’do pyesë asgjë dhe s’do t’iu ndalë dhe me këtë e rrisim edhe sigurinë e qytetarëve tonë”, theksoi Aleksandar Vuçiç, president i Serbisë.
Apel për t’iu bashkangjitur nismës ka bërë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Ai u ndal edhe tek BE-ja duke thënë se dështimi i Brukselit për të realizuar premtimin për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është kundër idesë evropiane.
Ne nuk mund të presim të zgjidhen të gjitha çështjet e brendshme të BE-së dhe të ecim përpara. Ne jemi këtu dhe kur BE-ja të jetë gati, ne do të jemi këtu, tashmë të përgatitur, me lehtësime për qytetarët tanë dhe me iniciativa të zhvilluara ekonomike për të cilat shpresojmë se edhe BE-ja do të gjejë mënyrën për t’i financuar të njëjtat. Për të gjithë ne është e qartë se vetëm me rajon të lidhur dhe integruar mund të lëvizim vazhdimisht drejt qëllimit tonë, anëtarësimit në BE”, theksoi Zoran Zaev, kryeministër.
Në këtë forum nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “mini-Shengenit pasi sipas tij rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në BE dhe jo nismave që janë të dëmshme për shqiptarët. Qeveria e Kosovës ka thënë se “Iniciativa e Novi Sadit” nuk e ka miratimin tonë duke kërkuar nga liderët e rajonit që t’i përkushtohen vetëm agjendës evropiane. Takimi i radhës mes Zaevit, Ramës e Vuçiçit pritet të mbahet në nëntor të këtij viti në Beograd.