Ballkani i Hapur, Rama: Hapim kufijtë në janar 2023


Kryeministri Edi Rama në një editorial për politico.eu, ka deklaruar se në kuadër të Ballkanit të Hapur, lëvizja e lirë e mallrave mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë mund të nisë në janar të vitit 2022, ndërsa kufijtë për lëvizjen e njerëzve një vit më vonë, në janar të vitit 2023.

“BE mund të ndërmarrë hapa praktikë, në mënyrë që të mund të zbatojmë më shpejt katër liritë e BE-së, lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve në tre vendet tona, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Serbi. Kjo është diçka që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të bëjnë nëse ne do t’i bashkohemi tregut të vetëm dhe Banka Botërore ka thënë se duke bërë këtë mund të shtojë deri në 10 për qind të PBB-së së secilit prej vendeve tona.

Ne të tre e quajmë këtë përpjekje “Ballkani i Hapur” dhe është diçka që tashmë e kemi filluar duke zotëruar frymën dhe parimet e Procesit të Berlinit. Shpresojmë të fillojmë lëvizjen e lirë të mallrave në janar 2022 dhe të hapim kufijtë tanë deri në janar 2023. Dhe është e vetëkuptueshme që “Ballkani i Hapur” është i hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor sa herë që ata vendosin të bashkohen”, shkruan Rama.

Ai thotë se kjo do të çojë përpara axhendën për integrimin në BE për të cilën Shqipëria ka 18 vite që përgatitet. Rama nënvizon se uron që angazhimi 18-vjeçar tani të shkojë drejt moshës së mesme.

“Kjo ide shkon përpara në axhendën që është përsëritur që nga Selaniku dhe që formon kriteret e prekshme të Procesit të Berlinit, shpallur në vitin 2014. Ne vazhdojmë të mbështesim dhe marrim pjesë në të dy proceset, por nuk duam të presim derisa të tjerët të thonë se ata janë gati. Ne duam rezultate – për të bërë reforma dhe që njerëzit tanë të marrin përfitimet. Mbështetja për këtë iniciativë do të tregonte se BE-ja është serioze për vetë Procesin e Berlinit dhe ne do të mirëprisnim ndihmën teknike për të siguruar që po përmbushim standardet teknike dhe rregullatorë të BE-së.

Shpresojmë që BE dhe miqtë tanë të tjerë, në Londër dhe Uashington, të bashkohen me ne dhe të inkurajojnë të tjerët në rajon të ecin përpara gjithashtu. Kështu ndërtojmë mbështetje këtu dhe tregojmë se jemi gati të jemi më afër Evropës. Si kombe të Ballkanit Perëndimor, ne duhet të shikojmë nga e ardhmja jonë, jo një e ardhme që nuk materializohet kurrë, por ajo që ne mund ta kontrollojmë. Një qytetar i lindur në 2003 tani është mjaft i rritur për të votuar, për të qenë një anëtar i plotë i komunitetit të tij politik, ndërsa ne jemi ende duke pritur për t’u bashkuar. Gjëja e fundit që duam është që angazhimi ynë 18-vjeçar të shkojë drejt moshës së mesme”, shkruan Rama.