“Ballkani i Hapur”, Osmani dyshon tek qëllimet e Serbisë

Dy homologët fqinj, presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe ajo e Kosovës Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët dolën me qëndrime të përbashkëta për synimet që kanë drejt së ardhmes dhe bashkëpunimit.
Por, ata u ndanë në pikëpamje kur u pyetën për iniciativën “Ballkani i Hapur” ku Maqedonia e Veriut është e përfshirë bashkë me Shqipërinë dhe Serbinë.

Pendarovski tha se në fillim e kishte marrë me rezerva këtë iniciativë, por se tanimë e sheh si një aspekt të Procesit të Berlinit, për të cilin tha se është pozitiv për vendin e tij.
Megjithatë, Pendarovski nuk është i kënaqur dhe as shumë optimist se kjo iniciativë do të prodhojë sukses pa gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Isha politikani i parë që kam shprehur rezerva për këtë. Kësaj iniciative i mungon diçka sepse në vend se të marrin pjesë krejt shtetet nga Ballkani Perëndimor, marrin pjesë vetëm gjysma. Derisa kjo iniciativë s’i përfshinë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kjo s’do të ketë sukses dhe qëndrimi im dhe i shtetit tim është se “Ballkani i Hapur” mund të jetë vetëm një nga instrumentet për përmirësim të bashkëpunimit rajonal, ekonomik dhe tregtar dhe jo politik. Mund të trajtohet kështu dhe kështu do të trajtohet. Do të jetë vetëm një aspekt i Procesit të Berlinit me tendenca që të zgjerohet”.

Nga ana tjetër, Osmani tha se iniciativa u nis keq në Novi Sad dhe se aspak nuk është në interes të Kosovës.
“Kjo iniciativë nuk është ndërtuar në parimet themelore të bashkëpunimit ndërfqinjësor që ndër të tjera kanë të bëjnë me gjithëpërfshirjen dhe e dyta nuk e pranon parimin e barabarësisë. Pra, të trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën dhe s’është e gatshme ta trajtojë në mënyrë të barabartë si shtetet tjera”.

Osmani tha se Kosova është dyshuese edhe e qëllimeve dhe se e marrin me rezerva edhe në aspektin ekonomik dhe të sigurisë.
“Ne e shohim që Serbia dëshiron ta trajtojë këtë si ekspansion të interesave të saj hegjemoniste që këto ditë po quhen në togfjalëshin “bota serbe”.