Nisma rajonale “Ballkani i Hapur” gëzon edhe mbështetjen e Gjermanisë.
Një qëndrim të tillë e bëri të ditur Kancelarja gjermane, Angela Merkel gjatë konferencës së përbashkët që pati me kryeministrin Edi Rama, pas vizitës zyrtare në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Thirrja e Merkel shkon për shtetet rajonale që ende nuk janë bërë pjesë e kësaj nisme që ta bëjnë diçka të tillë sa më shpejt.
“Shumëçka ka ndryshuar në bashkëqenësinë e shteteve në Ballkanin Perëndimor. Bashkëpunimi në shumë dimensione është konsoliduar në mënyrë të vazhdueshme. Unë përshëndes edhe projektin e tregut të përbashkët rajonal, me katër liritë siç i quajmë. Jo të gjitha vendet bashkëpunojnë njëlloj, por sa më shpejt t’i bashkohen aq më mirë do të ecë Procesi i Berlinit. Edhe një herë e theksoj se Procesi i Berlinit nuk e zëvendëson procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ajo.
Kurse kryeministri Edi Rama, i pyetur nga gazetarët nëse Procesi i Berlinit, i nisur qysh në vitin 2014 mund të quhet i dështuar, dha përgjigje negative.