Balena për të cilën besohej se ishte spiun rus u gjet e ngordhur pranë bregut të Norvegjisë

Balena për të cilën besohej se ishte trajnuar nga Rusia për spiunim është gjetur e ngordhur pranë bregut të Norvegjisë. Trupi i balenës, që kishte pseudonimin Hvaldimir, u gjet duke notuar pranë qytetit Risavika, pas së cilës u dërgua për ekzaminime.

Balena u vërejt për herë të parë nga peshkatarët norvegjezë para pesë vitesh. Ajo mbante një kamerë GoPro të lidhur me një rrip, ku shkruhej “pajisje e Shën Petersburgut”. Kjo nxiti spekulimet se balena mund të ishte spiun, për të cilën ekspertët thonë se ka ndodhur edhe më parë. Rusia kurrë nuk i ka mohuar apo pranuar këto akuza.

“Shkaku i ngordhjes së Hvaldimirit nuk është i njohur, por trupi i tij nuk kishte dëmtime të dukshme. Ne arritëm ta nxjerrim trupin dhe ta dërgojmë për autopsi,” tha Sebastian Strand, themeluesi i organizatës “Minds of the Sea,” e cila ka ndjekur lëvizjet e balenës për vite me radhë.

Me moshën 13 vjeçare, Hvaldimiri nuk ishte i vjetër, duke pasur parasysh se ky lloj balene mund të jetojë deri në 60 vjet. Shfaqja e tij pranë ishullit Ingøya ishte e pazakontë, pasi balenat rrallë shihen kaq në jug nga Arktiku. Shërbimet e inteligjencës norvegjeze nisën një hetim dhe arritën në përfundimin se balena ishte trajnuar nga ushtria ruse, pasi dukej e mësuar me njerëzit.