Bakoyannis: Marrëveshja e detit me Shqipërinë u prish nga Turqia. Rama: Erdogan ….

Ish-ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakoyannis, tha se çështja e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të zgjidhet nga Gjykata Ndërkombëtare.

Gjatë fjalës së saj në një takim të organizuar nga “The Economist” në Athinë, Bakoyannis tha se marrëveshja e arritur në vitin 2009 u prish pas ndërhyrjes së Turqisë dhe përkatësisht presidentit Erdogan, që në atë kohë ishte kryeministër. “E dimë që Turqia ka qenë shumë kundër kësaj marrëveshjeje”, tha Bakoyannis.

Por kryeministri Rama ndërhyri duke kundërshtuar këtë deklaratë të ish-ministres. “Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka marrë vendim për marrëveshjen e detit në vitin 2009. Në atë kohë kurrë nuk e kisha folur me presidentin Erdogan, nuk kishim asnjë marrëdhënie, sepse ne ishim partia e opozitës, dhe vendosëm ta çonim marrëveshjen në gjykatë sepse kishte debat dhe nuk doja që të bëhej politik”, tha Rama. “Ideja që e kam dëgjuar nga autoritete të larta që kjo është një marrëveshje e cila është ndaluar nga ndërhyrja e Turqisë, është absolutisht e pavërtetë. Mund të them se në asnjë takim nuk kam dëgjuar prej tij që kjo çështje të ketë interes për Turqinë”.