Avokati Antonio Apostolski do ta përfaqësojë ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajramin, në çështjen ku ai, së bashku me ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe disa persona të tjerë, është i dyshuar për përvetësimin e rreth tetë milionë eurove nga Lotaria.
Këtë informacion e ka konfirmuar avokati Apostolski, i cili deklaroi se Bajrami nuk është i arratisur nga shteti, por prej disa muajsh jeton jashtë vendit.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski, duke folur për këtë çështje gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Klik Plus,” tha se drejtori i Lotarisë Shtetërore nuk ka qenë në vend për një kohë të gjatë.
-Informacionet e mia janë se ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore nuk ka qenë në vend për një kohë të gjatë. Ndërsa ish-zëvendëskryeministri, gjatë ditës së djeshme, së bashku me një biznesmen, me një automjet me targa diplomatike ka lënë Maqedoninë dhe është drejtuar për te fqiu ynë verior, Kosova, deklaroi Mickoski.
Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur një fletë-arrest ndërkombëtar për Grubin dhe Bajramin, pasi Gjykata Penale Themelore në Shkup ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për ta.