Barcelona edhe zyrtarisht do të luajë në Ligën Europa, për pjesën tjetër të sezonit. Katalanët, ashtu siç pritej, janë mposhtur 3:0 në ‘Allianz Arena’, në një ndeshje ku për Bajern Munihun ishte gjithçka shumë e lehtë. Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 34’, me golin e Tomas Myllerit, i cili mori një asistim nga Levandovski. Nëntë minuta më vonë, Leroj Sane dhuroi golin më të bukur të ndeshjes, duke shënuar nga një distancë e largët për 2:0.
Barca humbi të gjitha shpresat në pjesën e dytë, kur në minutën e 62’ Musiala shënoi për 3:0, pas një aksioni brilant të ndërtuar nga Alfons Dejvis.
Me këtë humbje, Barca mbetet me shtatë pikë në pozitën e tretë, kurse Bajerni me 18 pikë kalon tutje. Bavarezët shoqërohen nga skuadra portugeze, Benfika, e cila me tetë pikë kalon në pozitën e dytë. Benfika shënoi fitore 2:0 ndaj Dinamo Kiev, me golat e Jaremçuk në minutën e 16’ dhe Zhilberto në minutën e 22’.