Bad News Eagles shpallen kampion të turneut të CS:GO TipSport Prague në Çeki

Ekipi shqiptar është duke kaluar një formë fantastike kohëve të fundit, këtë e dëshmuan edhe në finale të turneut TipSport Prague 2022, pasi mposhtën ekipin çek ECLOT në Pragë të Çekisë. Pasi mposhtën ekipin më të mirë të Çekisë, SINNERS ditën e djeshme në gjysmëfinale, sot (e diel) ekipi Bad News Eagles është takuar me ekipin tjetër çek, ECLOT në ndeshjen finale.

Ndeshjen finale e fitoi ekipi Bad News Eagles, me rezultat të përgjithshëm 2-0, për ta siguruar vendin e parë në turneun TipSport Prague, si dhe çmimin prej 20.000 dollarësh. Ndërsa ekipi kundërshtar ECLOT, pas renditjes në vendin e dytë ka fituar çmimin prej 9.300 dollarësh. Në vendin e tretë dhe të katërt u renditën ekipi SINNERS dhe Enterprise.

Vendi i parë në turneun TipSport Prague do të thotë shumë për ekipin shqiptar, pasi së shpejti do të fillojnë garën edhe në turneun kualifikues për Major, RMR Europe, ku do të kenë mundësi edhe njëherë të përballen me skuadrat më të mira të botës. /Telegrafi/