A e keni menduar ndonjëherë se pse nuk i cilësojmë njësoj plaçkitësit apo hajdutët me familjarët, që ua marrin pasurinë vajzave? A nuk e bëjnë të dyja palët të njëjtën gjë: marrjen e diçkajes që nuk iu takon- pra, pasurinë e tjetrit? Pse plaçkën nga familja, e kemi legjitimuar?!
Zana Avdiu
Jo rrallëherë ka ndodhur që në Kosovë, vjedhjet apo plaçkat të përfundojnë edhe me vdekje. Dhe, shoqëria çdoherë e ka mbajtur anën e të sulmuarit (cakut të vjedhjes) edhe nëse ky i fundit e ka vrarë hajdutin apo plaçkitësin. A ju kujtohet rasti në vitin 2018, ku njëri nga 4 hajdutët vritet nga pronari i shtëpisë në lagjen Veternik, dhe me të dalë lajmi në media, pronari i shtëpisë mori një përkrahje të madhe, nga të gjithë që komentonin pa ndalur në të gjitha rrjetet sociale. Apo, edhe rasti i rëndë i vrasjes së një biznesmeni në Vushtrri, që dy vëllezër e vranë dhe e zhdukën trupin e tij, për t’ ia marrw 30 mijë euro.
Dhe, e gjithë shoqëria (me shumë të drejtë) ishte në anën e viktimës. Janë, sepse vjedhësit apo plaçkitësit llogaritën armiq. Armik, sepse ta rrezikon qenien dhe pronën. Por, pse këtë solidarizim nuk e kanë me vajzat, që u plaçkitet pasuria nga vëllezërit apo pjesa tjetër e familjes? Madje, ato vajza që duan ta marrin hisen që u takon, linçohen dhe sulmohen ashpër nga shoqëria, sikur këto të ishin hajdutet, dhe jo familja e tyre. Konsiderohen, sikur këto të ishin armiket, dhe jo viktimat që po u vidhet pasuria.
Kjo qasje është edhe në institucionet shtetërore, ani pse ligji parasheh barazi të plotë për trashëgimi, ashtu si për djemtë ashtu edhe për vajzat. Pra, nëse shkon ne gjykatat e Kosovës, sheh se mbi 90% të rasteve për trashëgimi, pas vdekjes së prindërve, i hapin djemtë, e që në shumë raste as nuk e përmendin ekzistencën e vajzave të familjes. Pra, si trashëgimtar përmenden vetëm djemtë. Por, edhe ato gra që lajmërohen, detyrohen të heqin dorë nga pasuria e tyre, dhe zyrtarëve shtetëror, krejt kjo iu duket normale.
Dhe, mos të harrojmë se rastet hapën para gjykatës veç për shkaqe procedurale e ligjore për ta kaluar pasurinë në emër të tyre, sepse në realitet trashëgimia diskutohet dhe ndahet jashtë gjykatës në mes të burrave, pa u llogaritur gratë. Gjykata është vetëm formalitet, se punët në terren tashmë janë kryer! Madje, fatkeqësia e madhe këtu qëndron, se edhe per institucionet e drejtësisë, eliminimi i grave nga trashëgimia, është e pranuar. Edhe ato pak gra që pyetën se a heqin dorë nga pasuria, nuk dëgjohet përgjigjja e tyre deri në fund.
Nuk dëgjohet, sepse as për gjykatësin, apo noterin nuk është e nevojshme përgjigjja e gruas, sepse edhe në mendësinë e tyre, gruaja s’ka punë me pasuri e hise, e hiç se hiç me vendimmarrje- po për dreq këta të huajt na kanë ngarkuar me një ligj, që na i ka çoroditur gratë- sigurisht thonë me vete, teksa e eliminojnë prej të drejtës në pasuri.
Pra, kthehemi tek çështja e shtruar që në fillim të këtij teksti: pse nuk i konsiderojmë armiq babën, vëllain dhe fisin, që ta marrin pasurinë?
Sepse kjo lidhet ngushtë me pozitën dhe si konsiderohen gratë dhe vajzat, në shoqërinë tonë. E, gratë nga shoqëria jonë nuk llogaritën njerëz e as pjesë e familjes, pasi si e tillë nuk e vazhdon e sojin e asaj familje, por të asaj tek e cila do të shkojë nuse. Këtë e vërteton edhe thënia e famshme jona “rrit çikë, hup ditë” apo “vajza lindë në derë të huaj, e shkon në shtëpinë e saj”. Prandaj, nuk trashëgojnë. Prandaj, nuk është krim marrja e pasurisë së tyre.
Nuk është krim marrja e pasurisë së vajzave, sepse ato konsiderohen objekte në shërbim të burrit (ja do të jetë nën shërbim të babës, ja të vëllaut ose të bashkëshortit), dhe nëse e merr pasurinë do t’ia çojë fisit tjetër. Këtë e vërteton më së miri arsyetimi i gjithë shoqërisë “pasurinë e familjes nuk ia jap dhëndrrit”, kështu duke mos e llogaritur hiç ekzistencën e vajzës si njeri. Pra, kjo të jep të kuptosh që shoqëria konsideron se vajza/gruaja nuk ka subjektivitet, nuk ka vullnet, nuk ka ndjenja as dëshira, nuk ka as mend e tru për të vendosur për asgjë, nuk ka aftësi të jetojë e as zhvillohet vetë. Ajo shërben për seks dhe lindje të fëmijëve. Gjithashtu, një ndër arsyet më të gërditshme me të cilën ia legjitimojnë vetës këtë plaçkë, është ajo “po, po.. me na e ladrue bijën në pasurinë tonë”, pra, vajza/gruaja është edhe objekt që ndyhet, prandaj s’mund ta ndyjë edhe pasurinë e familjes. Me një fjalë, vajza është fatkeqësi e shtëpisë, e si t’i jepet edhe pasuri? Çmenduri!
Pra, kjo është kështu: njëherë dehumanizoje dikë krejtësisht, pastaj bëj ç’të duash, sepse shoqëria e pranon si të mirëqenë. Askush, kurrë nuk kryen krime, duke thënë se po bën krim, por, kryejnë krime duke i arsyetuar ato krime në forma të ndryshme. Sikur në këtë rast, që arsyetohet plaçkitja e pasurisë së vajzave. Pra, shoqëria e ka arsyetuar këtë krim, dhe tash bëhet shumë lehtë!
Psh, edhe dhunën ndaj grave dhe vajzave në të njëjtën formë e kanë normalizuar. Në të njëjtën formë kjo dhunë injorohet edhe nga institucionet e shtetit, ashtu si përjashtimi nga pasuria. Se, a nuk është krim dhuna dhe vrasja? Po janë. Po, pse vrasja dhe dhuna ndaj grave nuk llogaritën si vepra të këqija nga shoqëria, por, si vlerë? Veç mendoni, a nuk është kjo shoqëri që burrit i thotë që nëse të sulmon dikush, nderin ta pastron veç gjaku? Pse dhuna që i bëhet gruas, nuk ka nevojë të pastrohet me gjak? Pse gruaja bën të dhunohet? Sepse, shoqëria nuk e konsideron njeri! Pra, njëherë e ka dehumanizuar, dhe tash e dhunon lehtësisht.
Pra, vajza dhe gra, armikun nuk e keni jashtë shtëpisë. Ai babë, ai vëlla që të dhunon, të izolon, të lë pa shkollë e edukim, e të lë pa pasuri- ata nuk janë familja jote, por armiqtë e tu. Ata që ta mbyllin çdo derë mundësie që të jetosh e pavarur dhe me dinjitet, ata nuk janë familja jote, janë armiqtë e tu.
Dhe, mos pritni që kjo shoqëri që gruan e konsideron inferiore, ta ngritë pozitën e saj. Luftën për barazi e drejtësi e dinjitet, duhet ta filloni nga shtëpitë tuaja. Duhet ta filloni me prindërit tuaj, që qajnë për ditën kur linde. Duhet ta filloni luftën me vllaun, që mundohet të ta kontrollojë edhe frymëmarrjen, përveç tjerash. Luftën duhet ta filloni me fisin, që mendon se ju nuk ua vazhdoni sojin, dhe jeni fatkeqësi për ta.
Por, para së gjithash, luftën fillojeni me vetën tuaj, që e keni pranuar këtë rol të inferioritetit. Pa i filluar këto lufta, kurrë nuk do të çliroheni, kurrë nuk do të fitoni.
Pasuria është dinjitet, prandaj luftoni për të!