Babai nga Gaza kishte shkuar për të marrë certifikatë për binjakët e sapolindur, por kur është kthyer, ata ishin vrarë

Binjakët e sapolindur u vranë në Gaza ndërkohë që babai i tyre ishte në zyrën e autoriteteve lokale për të regjistruar lindjen e tyre. Djali, Aser, dhe vajza, Aisel, kishin vetëm katër ditë kur babai i tyre, Mohamed Abu al-Kumsan, shkoi për të marrë certifikatat e lindjes, raporton BBC

Ndërsa ishte jashtë, fqinjët e tij e njoftuan se shtëpia e tyre në Deir al-Balah ishte bombarduar. Në një sulm ajror izraelit, edhe gruaja e tij dhe gjyshja e binjakëve humbën jetën. “Nuk e di çfarë ndodhi. Më thanë se një granatë goditi shtëpinë,” tha babai.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamas, raporton se 115 foshnja janë lindur dhe më pas vrarë gjatë luftës. Sipas agjencisë së lajmeve AP, familja kishte ndjekur një urdhër për evakuim nga qyteti i Gazës gjatë javëve të para të luftës mes Izraelit dhe Gazës, duke kërkuar strehim në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, siç ishte urdhëruar nga ushtria izraelite.

BBC ka kërkuar një koment nga ushtria izraelite për sulmin dhe po pret një përgjigje. Izraeli thotë se po përpiqet të shmangë dëmtimin e civilëve dhe e akuzon Hamasin për vdekjen e tyre, duke vepruar në zona të populluara dhe duke përdorur ndërtesa civile si strehë.

Megjithatë, zyrtarët rrallë komentojnë për raste të veçanta të sulmeve izraelite. Disa prej këtyre streheve në Gaza janë sulmuar në javët e fundit. Të shtunën, në një sulm ajror izraelit ndaj një ndërtese shkollore ku ishin strehuar palestinezët e shpërngulur në qytetin e Gazës, humbën jetën më shumë se 70 njerëz, tha një drejtues spitali për BBC-në.

Portali i ushtrisë izraelite tha se shkolla “shërbente si një objekt aktiv ushtarak i Hamasit dhe Xhihadit Islamik”, të cilin Hamas e ka mohuar. Izraeli ka sfiduar numrin e të vdekurve, dhe BBC nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur shifrat nga asnjëra palë.