Një nga kandidaturat e Lëvizjes Vetëvendosja për deputet, që u prit me pozitivitet të jashtëzakonshëm, është kandidimi i Avni Deharit, veprimtarit të kamotshëm të çështjes kombëtare dhe baba i Astrit e Arbnor Deharit. Kandidimi i tij është pritur me entuziazëm të madh si nga opinioni në Kosovë, poashtu edhe nga opinioni në Maqedoninë e Veriut, prej ku e ka prejardhjen familja Dehari.
Është realizuar një intervistë me profesorin kumanovar nga Sllupçani, veprimtarin e shquar të diasporës dhe tani kandidat për deputet, Avni Dehari. Në këtë intervistë ai shprehet i sigurt se lista e uëshehqur nga Albin Kurti e Vjosa Osmani do të arrijë një fitore të madhe dhe qeveria e ardshme nuk do të varet as nga Lista Srpska, e as nga kalkulimet e kundërshtarëve politikë, siç ndodhi në qeverisjen e fundit.
Profesor Dehari nuk e fsheh gëzimin dhe kënaqësinë për reagimet dhe urimet e shumta që ka marë pasi është zbardhur emri i tij si kandidat për deputet, i pesti në Listën e Referendumit. Këto reagime kanë tejkaluar edhe pritjet e tij.
Pritjet e profesor Deharit nga fitorja e dyshes Albin Kurti-Vjosa Osmani janë të mëdha, njëjtë si pritjet e mbarë opinionit kosovar. Ai është i bindur se këto dy politikanë do t’ia dalin t’i realizojnë premtimet e dhëna. Poashu është i sigurt që fitorja bindëse e Vetëvendosjes do të reflektojë pozitivisht në të gjitha trojet shqiptare, duke përfshi edhe Maqedoninë.
Historia e familjes Dehari është sa e dhimbshme, aq edhe e lavdishme. Karakter mbarëkombëtar lavdisë së kësaj familje i dhanë Astriti e Arbnori, djemtë e profesor Avniut, të rënë në rrethana ende të pandriçuara deri në fund. Emrat e tyre, sot me plotë meritë qëndrojnë në një nga rrugët më të frekuentuara të Prishtinës. Babai i tyre, Avni Dehari, thotë se nëse zgjedhet deputet, do të këmbëngulë për ndriçimin e gjitha rasteve të dyshimta, e jo vetëm të Astritit e Arbnorit.
Gjurmët e kësaj familje, me origjinë nga fshati Sllupçan i Kumanovës, janë prezente edhe në pjesë tjera të Prishtinës. Një nga rrugët e lagjes Mat mban emrin e Adem Deharit, babait të profesor Avniut, i cili u zhduk nga sistemi komunist në vitin 1949. Rasti i tij është një mister që nuk është ndriçuar sot e kësaj dite.
Krahas planeve për të vepruar në kuadër të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Dehari thotë se personalisht si deputet fokusi i veprimit të tij do të jetë në sferat që u takon-krijim të kushteve më të mira në arsim, kulturë dhe në afirmimin e letërsisë.