Baba Mondi: Jam vëlla i popullit të Izraelit


Nisur nga deklarata e kryeministrit Rama në OKB për transformimin e Qendrës Botërore Bektashiane në një shtet sovran, gazetarët e “The Jerusalem Post” i kanë marrë një intervistë ekskluzive kryegjyshit botërorë të bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për të hedhur më shumë dritë mbi këtë ide ne Tiranë.

“Shteti shqiptar ka të drejtë të miratojë një ligj për këtë çështje. Pastaj, ne mund të shkojmë te komuniteti ndërkombëtar dhe të kërkojmë njohjen e tij. Ne duam të kemi status diplomatik në botë dhe të njihemi si Qendra Botërore e Bektashinjve. Ne jemi duke zhvilluar strategji të ndryshme në lidhje me zbatimin e këtij plani. Por së pari, qeveria e Shqipërisë duhet të miratojë një ligj që ndryshon statusin tonë.”

Sipas “The Jerusalem Post”, nëse nisma kalon shpejt, Baba Mondi do të jetë kreu i parë i shtetit të ri. Gjatë intervistës ai është shprehur se e ka vizituar disa herë Izraelin.

“Unë e njoh Izraelin dhe e konsideroj veten vëlla të popullit të Izraelit. Bektashinjtë janë një komunitet dhe një rrugë mistike e Islamit që i do njerëzit pa marrë parasysh se nga cili vend vijnë, çfarë feje i përkasin, ngjyrën e lëkurës apo politikën e tyre. Ne i konsiderojmë ata si vëllezër dhe motra.”

Nga ana tjetër në intervistën e tij, kreu i bektashinjve ka thënë se luftërat janë vepër e djallit.

“Disa kombe në botë shpenzojnë shumë para për ushtrinë. Por njerëzit duhet të gjejnë mënyra paqësore, pa ushtri dhe luftëra, për të lejuar që çdo komb të jetë i pavarur. Luftërat dhe vrasjet nuk janë fetare. Ato janë vepra e Djallit. Njerëzit që punojnë sipas mënyrave të Djallit nuk janë njerëz.”

Sipas censit të vitit 2023, komuniteti bektashi në Shqipëri përbëhet nga rreth 116 mijë besimtarë të deklaruar, ose 4.8% e popullsisë.