Baba i 550 fëmijëve/ Gjykata ndalon 41-vjeçarin holandez të dhurojë më spermë

Një 41-vjeçar holandez i dyshuar se është baba i më shumë se 550 fëmijë në mbarë botën përmes dhurimit të spermës është urdhëruar nga një gjykatë që të ndalojë. Jonathan Jacob Meijer mund të gjobitet më shumë se 100 mijë € nëse përpiqet të dhurojë përsëri spermë.

Atij iu ndalua të dhuronte atë në klinikat e fertilitetit në Holandë në vitin 2017 pasi u zbulua se ai kishte më shumë se 100 fëmijë. Por në vend që të ndalonte ai vazhdoi të dhuronte spermë jashtë vendit dhe në internet.

Tashmë një gjykatë në Hagë i ka kërkuar të sigurojë një listë të të gjitha klinikave që kishte përdorur dhe t’i urdhërojë ato që të shkatërrojnë spermën e tij. Për 41-vjeçarin thuhet se ka mashtruar qindra gra.

Udhëzimet e autoriteteve holandeze thonë se një dhurues nuk duhet të jetë baba i më shumë se 25 fëmijëve në 12 familje të ndryshme. Por gjykatësit thanë se Meijer kishte ndihmuar në lindjen e 550 deri në 600 fëmijëve që kur filloi aktivitetin e tij në vitin 2007. Ai u dërgua në gjykatë nga një fondacion që mbron të drejtat e fëmijëve të donatorëve dhe nga nëna e njërit prej fëmijëve që dyshohet se ka lindur nga sperma e tij.

“Çështja është se ky rrjet farefisnie me qindra gjysmë-vëllezër dhe gjysmë-motra është tashmë shumë i madh” – tha një zëdhënës i gjykatës. Mbi 100 nga fëmijët e tij kanë lindur në klinika holandeze dhe të tjerë privatisht. Ai ka bashkëpunuar edhe me një kinikë daneze.

Tashmë atij i ndalohet të kontaktojë ndonjë prind dhe të shprehë dëshirën “se ishte i gatshëm të dhuronte spermë… t’u reklamojë shërbimet e tij prindërve të ardhshëm ose t’i bashkohet ndonjë organizate që vendos kontakte midis prindërve të ardhshëm”, – tha gjykatësi. Ai shtoi se 41-vjeçari ka mashtruar shumë prindër duke mos iu treguar për numrin e madh të fëmijëve që kishte.

Donatorëve të spermës u thuhet të kufizojnë numrin e herëve që ofrojnë shërbimet e tyre, për të reduktuar mundësinë që vëllezërit dhe motrat mund të formojnë pa e ditur një çift dhe të kenë fëmijë së bashku. Holanda është goditur nga skandalet e fertilitetit në të kaluarën. Në vitin 2019, një mjek holandez i fertilitetit i akuzuar për përdorimin e spermës së tij për të inseminuar pacientët pa pëlqimin e tyre u konfirmua si baba i 49 fëmijëve.