Aziri pyet Shaqirin: “Ku mbeti rroga 600 euro për mësimdhënësit?”


Një ditë pas arritjes së marrëveshjes mes SASHK-ut dhe Qeverisë për ndërprerjen e grevës në arsim, deputeti i Aleancës për Shqiptarët (ASH) Elmi Aziri deklaroi se për shkak të inateve politike të Qeverisë, nxënësit humbin dy javë nga procesi arsimor, ndërsa arsimtarët u torturuan dhe shpesh herë edhe u anatemuan. Ai më tej, pyeti ministrin e Arsimit, Jeton Shaqiri, ku mbeti premtimi parazgjedhor për rritjen e rrogave të mësimdhënësve në 600 euro.

Për të satën herë me radhë, Qeveria u soll e u mbështoll dhe përsëri erdhi në fjalët e Aleancës për Shqiptarët. Por, kësaj radhe, fatkeqësisht, nga inatet e Qeverisë pësuan nxënësit.

Gjatë debatit parlamentar për pagën minimale, grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët propozoi amendamente për rritje lineare të pagave në administratën shtetërore dhe publike, në përputhje me rritjen e pagës minimale. Pushteti aktual refuzoi amendamentet tona atëherë, bëri inate me ne, pastaj me sindikatën e arsimit dhe në fund pranoi marrëveshje për rritje të pagave në arsim për 12%, afërsisht nivelin e njëjtë që parashihej në propozimet e Aleancës për Shqiptarët.

Çfarë fitoi Qeveria nga kjo zvarritje dhe këto inate?
Fëmijët humbën dy javë nga procesi arsimor, arsimtarët u torturuan dhe shpesh herë edhe u anatemuan nga Qeveria. I bëjmë thirrje Qeverisë që të mos ngul këmbë në mosdije dhe inate politike, por të dëgjojë dhe pranojë propozimet konstruktive dhe të dobishme për qytetarët në të ardhmen.

Ndërkohë edhe një herë pyesim BDI-në dhe Ministrin e Arsimit, Jeton Shaqiri, ku mbeti premtimi i tyre se në 100 ditëshin e parë, pagat në arsim do të rriten në 600 euro?