Avokati: Joe Biden e ka quajtur Thaçin George Washingtoni i Kosovës

Në Hagë, avokati i Thaçit ka thënë se personin që Gjykata Speciale po e akuzon për krime lufte, presidenti i zgjedhur i Amerikës, Joe Biden, e ka quajtur “George Washingtoni i Kosovës”. Avokati kryesor i ish-presidentit Hashim Thaçi në seancën e parë dëgjimore ndaj tij, David, Hooper, është përplasur me gjyqtarin e procedurës paraprake.

Për klientin e tij, që Tribunali i Hagës po e akuzon për krime lufte, Hooper e ka cituar Bidenin. “Ish-zëvendëspresidenti Joe Biden, tash president i zgjedhur i SHBA’së, e ka quajtur z. Thaci George Washingtonin e Kosovës”, ka thënë Hooper.

David Hooper, akovat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e ka pyetur Prokuorinë e Specializuar dhe gjykatësin e Procedurës Paraprake se ku janë pretendimet për trafikimin e organeve, mbi të cilat u themelua Gjykata Speciale. “Ku janë pretendimet për trafikimin e organeve, sepse këto ishin shumë të rëndësishme për lindjen e kësaj gjykate”, ka pyetur Hooper.

Të enjten e javës së kaluar, ish-presidenti Hashim Thaçi, bashkë me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe shefin e Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimin u nisën me një avion për në Dhomat e Specializuara në Hagë. Një ditë përpara, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ishte arrestuar dhe ishte dërguar për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.