Në seancën e parë dëgjimore që u mbajt ndaj Kadri Veselit nga Gjykata Speciale në Hagë, mbrojtësi i tij, Ben Emmerson, ka bërë të ditur se klienti i tij është paraqitur vullnetarisht pas konfirmimit të aktakuzës. Emmerson tha se paraqitja e vullnetarshme e Veselit në Hagë ka ardhur pas një marrëveshjeje që ka bërë me Prokurorinë Speciale.
“Veseli është arrestuar, ju si gjykatës duhet të dini që zotri Veseli erdhi në gjykatë me marrëveshje për të ardhur vullnetar”, tha Emmerson.
Ish-kryeparlamentarit dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, iu është konfirmuar aktakuza më 5 nëntor, ku po atë ditë u arrestua dhe u transferua në objektin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Zyra e Prokurorit në seancën e cila u mbajt tha se Veseli akuzohet për ndjekje, krim kundër njerëzimit, burgosje, krim lufte, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave.