Avokati i Thaçit përplaset me gjykatësin e Speciales: Pse s’ka simbole të Kosovës këtu?

Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit është përplasur në Gjykatën Speciale me gjykatësin Nicolas Guillou lidhur me simbolet e Kosovës, që mungojnë në këtë institucion të drejtësisë. Replikat kanë nisur kur David Hooper e ka ngritur çështjen e mungesës së simboleve të Kosovës në Gjykatën Speciale.

“Jo vetëm që është njollë për Kosovën dhe kosovarët… Gjykatë e Kosovës, por nuk ka asgjë nga Kosova. Nuk ka asnjë emblemë të Kosovës. Ndoshta mund t’i kushtohet vëmendja kësaj. Nëse është Gjykatë e Kosovës, mund të kishim këtu shqiponjen e zezë me të kuqe”, ka pyetur avokati, duke mos i ditur mirë simbolet e Kosovës.

Në replikë, gjykatësi Nicolas Guillou e ka pyetur avokatin se pse ai s’ka veshur rroba të kuqe. “Mund të kishit veshur rroba të kuqe”, tha Guillou duke qeshur. Ndërsa avokati Hooper i replikoi përsëri gjykatësit. “Por unë nuk jam avokat i Kosovës”, tha ai, duke theksuar se nuk është anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës.