Avokati i Popullit me rekomandime për MASH: Librat digjitalë ide e mirë, por siguroni kushte

Pas kritikave të shumta rreth idesë për librat digjitalë, zyra e Avokatit të Popullit, përmes rekomandimeve drejtuar MASH-it, thotë se “ideja është e mirë, por vetëm nëse sigurohen paraprakisht të gjitha parakushtet për zbatimin efikas për të gjithë nxënësit dhe duke marrë parasysh mundësitë e prindërve për të siguruar pajisje teknologjike për fëmijët e tyre.

Në të kundërtën, sipas Ombudsmanit, më të prekurit do të ishin përsëri fëmijët nga grupet e rre*zikuara, të cilët nuk kanë qasje në pajisjet elektronike dhe internet. Këto pajisje duhet t’i sigurojë shteti”, thonë nga Avokati i Popullit, duke përkujtuar se arsimi fillor falas garantohet nga Kushtetuta dhe ligji.

“Çdo veprim ndryshe, do të diskr*iminonte një pjesë të nxënësve duke krijuar pabarazi mes nxënësve. Reformat dhe modernizimi i arsimit fillor, duhet të bazohen në një vlerësim të mirë të kapaciteteve teknike dhe teknologjike aktualisht në dispozicion nëpër shkolla, si dhe duke vlerësuar aftësitë digjitale të mësimdhënësve. Të gjitha shkollat fillore duhet të kenë infrastrukturë dhe pajisje me kompjuterë, borde inteligjente dhe mjete të tjera IT, internet të përhershëm në secilën klasë. Sipas Ombudsmanit, duhet pasur kujdes rekomandimi i ekspertëve edhe për orët që fëmijët do të kalojnë para kompjuterëve dhe dë*met që kjo i shkakton shëndetit të tyre.”

Avokati i Popullit shpreh ndërkohë kënaqësi që për herë të parë në vitin akademik 2021/2022 të gjitha librat shkollorë do të jenë edhe në format audio dhe në alfabetin Braille për nevojat e nxënësve me shikim të dobët, por thekson se “secila shkollë duhet të jetë e adaptuar dhe pajisur në mënyrë infrastrukturore (me kompjuterë me tastierë Braille, printera Braille, lexues ekrani dhe teknologji tjetër të nevojshme) në mënyrë që të përfshijë në procesin arsimor edhe nxënësit me shikim të dëmtuar plotësisht në bazë të barabartë me fëmijët e tjerë,“ thuhet në letrën e zëvendësavokates së popullit, Vaska Mustafa.