Avokatët e Alimit ende nuk e dinë se edhe sa bu*rg do të vuaj klienti i tyre

Pala mbrojtëse e Abdylfetah Alimit është duke llogaritur pjesën e mbetur të dënimit të klientit të tyre, pas faljes së pjesshme dy ditë më parë nga ana e Presidentit. Zyra e Donçe Nakov ende nuk ka një qëndrim për këtë, megjithatë, vendimi i presidentit nuk ka kaluar pa reagime të ndryshme. Për VMRO-DPMNE-ja, vendimi është selektiv, dhe kjo parti do të donte që kjo qasje të ndiqej edhe për të dënuarit e tjerë lidhur me 27 prillin.

“E vetmja gjë që mund t’ju them është se presim joselektivitet në vendimet e Pendarovskit. Presim joselektivitet në drejtësi. Në vend të drejtësisë selektive sipas shembullit të këtij vendimi, ai duhet të zgjerohet edhe ndaj të gjithë të dënuarve të pafajshëm që janë në burg. Mendoni për të dënuarit e 27 prillit? Po”, tha Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela e mirëpriti vendimin për faljen e pjesshme të ish sigurimit të Kuvendit i cili më 27 prill të vitit 2017 gjatë hyrjes së dhunshme në Kuvend, i shpëtoi jetën.
“U gëzova pa masë Feta, paçka se 8 muaj falje s’janë asgjë në krahasim me 7 vite i dënuar padrejtësisht. Ti duhet të jesh i lirë dhe jo i falur miku im. Falë teje jam, e falë të qofsha!”, u shpreh Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Presidenti Pendarovski me një vendim të datës 16 mars 2022 fali gjithsej pesë persona. Njërit prej tyre i është falur plotësisht dënimi kurse katër të tjerëve, pjesërisht. Një ditë më parë nga zyra e Presidentit thanë se personat e falur i plotësojnë kushtet dhe për to, Komisioni për falje kishte dhënë rekomandim pozitiv.

“Ministria e Drejtësisë dorëzon propozime për falje në Kabinetin e Presidentit. Komisioni i faljes, si trup punues i Presidentit, shqyrton dhe vlerëson rastet dhe i paraqet propozime Presidentit se cilët persona duhet të falen sipas dispozitave ligjore”, njoftojnë nga Kabineti i Presidentit.

Alimit iu caktua paraburgimi në dhjetor të vitit 2017. Në mars të vitit 2019 ai u dënua me 7 vjet burg. Në vitin 2021, Gjykata e Apelit ja uli dënimin në 6 vjet. Falja prej 8 muajsh nënkupton që Alimi do të vuaj gjithsej 5 vjet e 4 muaj burg, në të cilën përfshihet edhe paraburgimi. Për hyrjen e dhunshme në Kuvend fillimisht u akuzuan 33 të akuzuar. 15 prej tyre u amnistuan me ligj të posaçëm, kurse 16 morën dënim prej 188 vjetësh, njëri u lirua nga akuza dhe për një tjetër u zhvillua procedurë e veçantë gjyqësore.