Avdullah Hoti Kryeministër i ri, 61 deputetë japin votën pro


Me 61 vota pro, 24 vota kundër dhe 1 abstenim, në Kuvendin e Kosovës është votuar Qeveria e koalicionit LDK-AAK-Nisma-minoritetet, me kryeministër Avdullah Hotin.

Hoti e ka prezantuar kabinetin e tij qeveritar, me gjithsej katër zëvendëskryeministra dhe 18 ministra.

Hotit iu hap rruga për formimin e Qeverisë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë dekretit të presidentit Hashim Thaci për mandatarin e formimit të Qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit të 2019’ës, nuk e ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Qeveria e Albin Kurtit, që ishte produkt i koalicionit mes LVV’së, si parti e parë dhe LDK’së, si parti e dytë, u rrëzua me 25 mars, me mocion mosbesimi të nisur nga partia e Isa Mustafës.

Mocioni u inicua pasi Kurti ia shkarkoi LDK’së Agim Veliun nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme, pasi ai shprehu një qëndrim të tijin përsonal në një studio televizive, e Kurti e pa të papranueshme.

Mocioni i LDK’së bazë për rrëzim të Qeverisë e kishte rrezikimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetë Hoti në fjalimin e tij të sotëm tha se “raportet me Amerikën janë lënduar nga një politike populiste e Qeverisë së fundit”.