Avdullah Hoti i kundërpërgjigjet Ramush Haradinajt: S’ka nevojë për konferencë të liderëve


Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ka refuzuar ofertën e Ramush Haradinajt për një konferencë të liderëve për t’u koordinuar në dialogun Kosovë-Serbi.

Hoti përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se institucionet që kanë dalë nga zgjedhjet e fundit bartin legjitimitetin për të marrë përgjegjësitë bazuar në ligje e kushtetutë edhe sa përket dialogut me Serbinë.

“Kosova ka institucione legjitime të dalura nga zgjedhjet demokratike të 6 tetorit, të cilat bartin përgjegjësitë kushtetuese, përfshirë edhe dialogun me vendin fqinj Serbinë. Nuk ka nevojë për asnjë konferencë për këtë qëllim, të brendshme as të jashtme”, ka reaguar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.

Ja reagimi i tij:

Kosova ka institucione legjitime te dalura nga zgjedhjet demokratike te 6 tetorit, te cilat bartin pergjegjesite kushtetuese, perfshire edhe dialogun me vendin fqinj Serbine. Nuk ka nevoje per asnje konference per kete qellim, te brendeshme as te jashtme.

Duhet vetem ushtrim i pergjegjesive kushtetuese nga secili. Kryeministri duhet te marre persiper dialogun ashtu sic e definon edhe aktgjykimi i Gjykates Kushtetuese. Presidentin duhet te qendroje brenda kompetencave te veta kushtetuese.

Kuvendi duhet te kerkoje transparence ne kete proces dhe te mbikeqyre procesin duke ftuar Kryeministrin ne raportim te rregull, por edhe duke nxjerre rezoluta nese e sheh te nevojshme te shpreh qendrimin e vete per te kornizuar me qarte dialogun.