Autostrada, reagon VMRO-DPMNE: LSDM vonoi inaugurimin e rrugës që e bëri VMRO

Nëse LSDM do të vinte në plan të parë interesin e qytetarëve dhe jo politikbërjen, autostrada do të funksiononte që nga gushti i vitit 2017, tha në pres konferencën e sotme Janushev.
“VMRO e realizoi projektin për ndërtimin e autostradës deri në fazën përfundimtare që në maj të vitit 2017. Kishte mbetur vetëm vendosja e një largpërçuesi dhe përfundimi i dhomës së kontrollit. Autostrada prej 27 kilometrash, që kalon përmes një terreni të vështirë shkëmbor, ka përfunduar para 5 vitesh. LSDM harxhoi një vit për dislokimin e një shtyllë rryme dhe përfundimin e ndërtimit të një dhome kontrolli. Ajo pa arsye shtynte lëshimin në përdorim të autostradës, në mënyrë që qytetarët të harronin se ajo është ndërtuar nga VMRO. Kështu LSDM dëshironte të krijojë përshtypjen se edhe ata kanë ndërtuar diçka”,– tha Janushev.
Sipas tij, edhe kjo autostradë, edhe autostradat Milladinovci – Shtip dhe Kërçovë – Ohër janë realizuar 70%, respektivisht 50%, gjatë qeverisjes së VMRO-së dhe të gjitha projektet që LSDM i proklamon si të vetat, janë në fakt të VMRO-së, pasi ajo nuk ka filluar të ndërtojë asnjë kilometër rrugë.